Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaVrasja për 20 euro borxh në Suharekë: Dëshmitari thotë se i ndjeri...

Vrasja për 20 euro borxh në Suharekë: Dëshmitari thotë se i ndjeri e shau dhe nuk e përshëndeti të akuzuarin

Dëshmitari Leotrim Aliaj deklaroi se tani i ndjeri Sh.K nuk ia kishte dhënë dorën për ta përshëndetur të akuzuarin Sylejman Ahmeti dhe pas kësaj Sh.K kishte filluar ta shante të akuzuarin dhe kishte refuzuar të ulen e të bisedojnë.

Këtë deklarim, dëshmitari Aliaj e bëri të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, lidhur me rastin ku  Sylejman Ahmeti po ngarkohet se vrau Sh.K. shkaku i një borxhi prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Leotrim Aliaj deklaroi se në natën kritike kishte qenë në lokalin “Toni” ku ka qenë i ulur në tavolinë me Bekim Ahmetin dhe Agron Krasniqin.

Ai tha e pas një kohe ka ardhë i akuzuari Ahmeti, i ka përshëndetur të gjithë dhe se Sh. nuk ia kishte dhënë dorën atij dhe pas kësaj, Sh. kishte filluar sharjet në drejtim të Sylejmanit, të cilin e kishte sharë me nënë e babë, e që i akuzuari e kishte ftuar të ulen e të bisedojnë.

Tutje, dëshmitari thotë se tani i ndjeri kishte refuzuar dhe kishte dalë jashtë lokalit, e që pas disa minutash kishte dëgjuar krismat e armës jashtë lokalit.

Ai tha se pas kësaj s’ka parë asgjë jashtë pasi që menjëherë pas krismave kishte ikur në drejtim të shtëpisë së tij.

Ndërsa, dëshmitari tjetër Fatijon Aliaj deklaroi se tha se natën kritike të 26 janarit 2020 kishte qenë në lokalin- restorantin në fshatin Maqitevë së bashku me një shok të tij ku kishin qëndruar, pirë dhe ngrënë.

Sipas dëshmitarit, derisa ishin ulur në tavolinë, ka ardhë tani i ndjeri Sh.K në lokal dhe pas tij shoku i tij Nderim Aliu, ku janë ulur në njërën nga tavolinat e lokalit dhe se ndeja ka vazhduar deri në ora 1-1:30.

Dëshmitari Fatijon tha se në këtë kohë ka ardhë i akuzuari Sylejman Ahmeti, i cili ka përshëndetur të gjithë dhe se ka shkuar në tavolinën e Sh.K, me qëllim që ta përshëndeste.

Tutje, tha se i akuzuari Ahmeti ia ka zgjatur dorën, por tani i ndjeri nuk ia zgjati dorën për ta përshëndetur.

Pas kësaj, thotë se Sylejmani ka shkuar në një tavolinë tjetër dhe ka porositur pije dhe ka qenë i ulur 2-3 metra larg tavolinës së Sh.K, e pas disa çastesh, Sylejmani i ka thënë Sh. hajde të bisedojmë.

Mirëpo, sipas dëshmitarit, Sh. i kishte thënë “s’kam çka të bisedoj me juve”, e pas këtyre fjalëve Sh. ka dalë jashtë lokalit.

Dëshmitari theksoi se pas 3-4 minutave edhe Sylejmani ka dalë jashtë, mirëpo thotë se nuk e di se çka ka ndodhur jashtë, vetëm se kishte dëgjuar krismë armësh.

Po ashtu, i njëjti tha se nga frika, së bashku me shokun e tij ishin futur nën banak e pas kësaj, tha se ka dalë jashtë dhe ishte nisur për në shtëpinë e tij dhe se s’ka parë asgjë jashtë, ngase ishte larguar nga dera tjetër e lokalit.

Në seancën e së hënës ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Gzim Gashi, mirëpo i njëjti pavarësisht faktit se ishte ftuar me rregull, nuk u paraqit në gjykatë.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, seancën e sotme e ndërpreu dhe e njëjta do të vazhdojë nesër (e martë).

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020 në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Sh.K vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi Limani e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, Agron Krasniqit dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Sh.K, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments