Me iniciativë të organizatës së shoqërisë civile, përkatësisht Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, gjatë ditës së sotme, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi dhe Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, ka pritur në takim përfaqësues të kësaj organizate së bashku me aktivisten ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, Hana Noka.
Qëllimi i këtij takimi të përbashkët ishte diskutimi i çështjeve që lidhen me avancimin e mbrojtjes së të drejtave të kafshëve në aspektin penal, të drejta këto, që mbrohen me legjislacionin në fuqi, ndërgjegjësimin në trajtimin e këtyre rasteve dhe reagimin institucional në ndjekjen penale të të gjithë atyre personave, të cilët cenojnë dhe keqtrajtojnë kafshët në forma dhe mënyra të ndryshme.
Ndërkaq, aktivistja Hana Noka, e cila është edhe regjisore e suksesshme në Hollywood të Kalifornisë, ka treguar për iniciativën e saj në përgatitje të një filmi dokumentar të metrazhit të gjatë, me titull “The Citizen Paw”, që si temë do ta ketë vetdijësimin dhe mbrojtjen e mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve në Kosovë.
Në fund, palët u pajtuan që të intensifikojnë bashkëpunimin në mënyrë që mbrojtja e të drejtave të kafshëve të marrë vëmendjen e duhur të institucioneve ligjzbatuese të Republikës së Kosovës.