Për shkak të mos fitores në raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale 2021, shumë prej kandidatëve u përgatitën edhe për një javë fushatë e për kërkim vote nga qytetarët e komunave përkatëse.
Kandidatë të shumë nga parti të ndryshme u takuan me qytetarët, u premtuan atyre realizimin e projekteve të ndryshme e si përfundim kërkuan votën e tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve, atë të mbajtur dje.
Në 21 komuna të vendit gjatë ditës së djeshme, qytetarët iu drejtuan kutive të votimit, në mënyrë që të sigurojnë fitore për të preferuarin e tyre për të drejtuar komunën në mandatin 4 vjeçar.
Por jo të gjitha rezultatet përfunduan ashtu siç parashihej nga raundi i parë.
Madje disa nga këto rezultatet u përmbysën krejtësisht, e rasti më epik ishte në Komunën e Prishtinës. Por me të marrë rezultatet e para të dala nga balotazhi i djeshëm, në rrjetet sociale startuan edhe shakatë.
Opinionistë, gazetarë, analistë, artistë e edhe politikanë filluan të krijonin shaka të ndryshme me rezultatet, por edhe me vetë personalitetet kandiduese në këto zgjedhje.
I ngjashëm ishte reagimi i gazetarit Adriatik Kelmendi lidhur me çështjen e sondazheve e projeksioneve të këtij balotazhi.
Kelmendi reagoi për parashikimin qe kishte bërë më parë deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja. Muja pati thënë se VV do t’i fitojë 24 komuna, por në fakt mori vetëm katër prej tyre.
“E di që të gjithë e kemi tepru’ ndoshta nga pak me sondazhe, exit polle e projeksione. Veç me Armend Mujën krahasohet askush, jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe disa dekada”, ka shkruar Kelmendi.
E reagim lidhur me rezultatet pati edhe gazetari dhe analisti, Berat Buzhala.
“Do t’i fitojme 12 komunat ku jemi ne balotazh. Thane: Albini, Bislimi, Armendi, Glauku, partia e Vjoses .E fitune Shtimjen”, shkroi ai.
Por ai poashtu shaka bëri edhe me humbjen e Mimoza Kusari-Lilës në Komunën e Gjakovës, duke ia përkujtuar ndërrimin e shumtë të partive politike.
E shakatë edhe më të mëdha me humbjen dhe fitoren e disa prej kandidatëve u bënë në faqe të shumta në rrjetet sociale.
Të ngjashme ishin shumë video/foto nga “Coolnfreshmagazine”.
Madje një nga ato më për të qeshur ishte ndryshimi që iu bë “AlbiMall”, pas fitores së Përparim Ramës.
Pa komentuar nuk mbeti as humbja e Lutfi Hazirit në Komunën e Gjilanit e Mytaher Haskukës në Prizren.
Të njëjtit iu bë një video-montazh me një këngë mjaftë të dhimbshme të Medës.
E humbjen e Arben Vitisë në Prishtinë nuk hezituan ta lidhin edhe me publikimin e rezultateve të të infektuarve me COVID-19 nga IKSHPK.
Pa e komentuar situatën e zgjedhjeve lokale nuk mbetën as artistët.
Njëri prej tyre është Mozzik, i cili humbjen e partisë së Albin Kurtit e lidhi edhe me veturat zyrtare apo siç thoshte dikur ai “Xhipat e zi” që së fundi ai u pa shpesh me ta.
E një mesazh për Lutfi Hazirin pati edhe Ismajl Kurteshi. Si për ironi Kurteshi e uroi Hazirin për “pensionim”, menjëherë pas publikimit të rezultateve ku fitues në Gjilan doli Alban Hyseni.
Qesharake ishte edhe një video në të cilën shfaqen Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kinse përpara liderit të tyre Albin Kurti, reagimi i të cilit sipas këtij publikimi ishte mjaftë i rëndë për t’u përballuar.