Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë që u mbajtën më 14 nëntor.
Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në komunën e Kamenicës me kandidatin Kadri Rahimaj, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Shtime me Qemajl Aliun dhe në Gjilan me Alban Hysenin.
Partia Demokratike e Kosovës fitoi Komunën e Prizrenit me kandidatin Shaqir Totaj, Gllogocin me Ramiz Lladrovcin, Dragashin me Shaban Shabanin, Kaçanikun me Besim Ilazin dhe Vushtrrinë me Ferit Idrizin.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi udhëheqësinënë Gjakovë me Ardian Gjinin, Klinën me Zenun Elezajn dhe Rahovecin me Smajl Latifin.
Ndërkaq Nisma Social Demokrate arriti fitore në Malishevë me Ekrem Kastratin.
Në komunën e Obiliqit zgjedhjet në rundin e dytë i fitoi Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.
Në komunën e Mamushës fitore arriti Abdulhadi Krasniq nga KDTP. Ndërkaq në komunën e Kllokotit balotazhin e fitoi Vladan Bogdanoviq nga Lista Serbe.
Deri në orën 19, përkatësisht deri në mbylljen e vendvotimeve, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë votuar rreth 38 për qind të votuesve.
Pas shpalljes së rezultateve preliminare, në ditët në vazhdim pritet numërimi edhe i votave me kusht dhe votave që kanë ardhur prej jashtë vendit.
Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.