Kandidati i PSD-së për kryetar të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e raundit të dytë që u mbajtën sot në këtë komunë.
Ai ka thënë se pas mbledhjes së shumicës së votave nga komisionerët e PSD-së, Vetëvendosje del se ka fituar shumicën e votave në Komunën e Kamenicës.
“Pas mbledhjes së shumicës së votave nga komisionerët tanë, Vetëvendosje del se ka fituar shumicën e këtyre votave! I uroj kundërkandidatit fitoren dhe i dëshiroj suksese! Është mëse e qartë që reforma në arsim e ka ndikuar disponimin e pesë fshatrave në këtyre zgjedhjeve, e cila ka ndikuar dukshëm në rezultat”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur, ndërsa ka thënë se angazhimi i tij politik do të jetë i inspiruar dhe i motivuar nga përvoja e tij në Kamenicë.
Kujtojmë se me votat e numëruara deri më tani, Kadri Rahimaj nga VV-ja në Kamenicë ka marrë 61.08 për qind të votave, ndërsa Qëndron Kastrati vetëm 38.92 për qind.