Bosnja dhe Hercegovina po përballet me nivelin më të lartë të tensioneve politike që nga përfundimi i luftës së përgjakshme në këtë shtet në vitin 1995. Marrëveshja për Paqe e Dejtonit e stabilizoj shtetin, mirëpo tani pas shumë viteve ka përpjekje që rrezikojnë paqen dhe ekzistencën e Federatës boshnjake. Kriza u shkaktua kryesisht pas përpjekjeve të liderit serb të Bosnjës Milord Dodik për ta kthyer pushtetin shtetëror në nivel etniteti.
Në fillim fuqitë perëndimore duket se nuk i morën seriozisht kërcënimet, mirëpo tani një numër qeverish dhe diplomatësh perëndimorë janë vënë në lëvizje.
Sead Turcalo, një profesor eminent i Universitetit të Sarajevës në një intervistë për KosovaPress thotë se kriza mund të kapërcehet nëse koordinohen opsionet politike pro-boshnjake së bashku me komunitetin ndërkombëtar, që ta izolojnë Millorad Dodikun.
Për më tepër, thotë ai – nevojitet një angazhim më i fortë i SHBA-së dhe vendeve kyçe të BE-së për të penguar ndikimin malinj të Rusisë dhe për të kufizuar aktivitetet përçarëse të Serbisë në rajon.
KosovaPress: Profesor Turcalo, kriza më e rëndë politike që nga fundi i luftës në Bosnje dhe Hercegovinë u prodhua nga kërcënimet e Milorad Dodik për të kthyer pushtetet shtetërore në nivel entiteti. A është kjo një përpjekje për të shkatërruar Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit?
Turcalo: Pas vitit 2006, Millorad Dodik intenzivisht është përpjekur me pengesa të vazhdueshme ta përmbys shtetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe përparimin e arritur në kuadër të Kushtetutës së Dejtonit. Muajt e fundit po përjetojmë kulmin e përpjekjeve të Dodikut në drejtim të defuqizimit të shtetit, rrezikimit të sovranitetit dhe rrjedhimisht të integritetit territorial.
KosovaPress: Nëse lëvizja e paralajmëruar e Dodikut do të kishte një epilog, kjo do të nënkuptonte heqjen e paligjshme të kompetencave të institucioneve shtetërore të BeH, të cilat janë formuar gjatë më shumë se njëzet viteve të zbatimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe si rrjedhojë tingëllojnë si një skenar i viteve ’90-ta. Cili mund të jetë reagimi i pjesës boshnjake?
Turcalo: Reagimi aktual i partive politike që kanë një agjendë pro-boshnjake është i limituar në theksimin se këto janë lëvizje antikushtetuese, të cilat tentojnë të rrezikojnë paqen. Për më tepër, nuk ka një aktivitet të qartë të përbashkët që do të izolonte Millorad Dodikun në planin e brendshëm, dhe një agjendë të qartë të koordinimit dhe lobimit më të fortë tek aktorët ndërkombëtarë që përmes izolimit ndërkombëtar dhe sanksione të synuara ta bëjnë të dështojë projekti politik i Dodikut, që gjithashtu do t’i jepte fund karrierës së tij politike. Ajo që është padyshim e qartë është se ka një angazhim, por edhe një detyrim për të mbrojtur institucionalisht sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit nga sulme të tilla.
KosovaPress: Ekspertët ndërkombëtarë po paralajmërojnë se Bosnja është në rrezik. Nga këndvështrimi juaj, a ka gjasa që Bosnja të përfshihet në një konflikt të armatosur?
Turcalo: Fakti që flitet gjithnjë e më shumë për luftën është tashmë shqetësues, edhe pse për momentin nuk ka gjasa të ndodhë. Megjithatë, duhet pasur parasysh se në kushtet kur autoritetet dhe përfaqësuesit politikë të entiteteve të Republikës Srpska përdorin fjalor që çdo ditë përshkallëzon krizën aktuale politike, dhe në Serbi vihen në qarkullim ide ngjajnë fort me një version të përditësuar të Serbisë së Madhe – mendoj në “Bota Serbe” – atëherë edhe incidenti më i vogël, i parëndësishëm mund të çojë në një situatë që mund të shtyjë jo vetëm vendin, por edhe rajonin në konflikt.
KosovaPress: Ndërsa tensionet në Bosnje po përshkallëzohen, deri më tani nuk kemi parë që autoritetet e Beogradit të dërgojnë mesazhe të përmbajtjes. Dhe është krijuar perceptimi se Rusia dhe Serbia janë pas paralajmërimeve të Dodikut. Çfarë reagimi mund të pritet nga Perëndimi, SHBA, NATO dhe Bashkimi Evropian?
Turcalo: Millorad Dodik dhe regjimi në pushtet në entitetin Republika Srpska nuk kanë guximin apo instrumentet dhe mjetet të mjaftueshme për të ndërmarrë aktivitete pa mbështetjen e Serbisë dhe Federatës Ruse që çojnë në cenimin e sovranitetit të Bosnje dhe Hercegovinës dhe rrjedhimisht të gjithë rendit juridiko-politik të vendosur me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit. Edhe pse Serbia deklaron mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës, me përmbajtjen e politikës së saj vazhdon të jetë një faktor destabilizues dhe përçarës në rajon. Ende është e pranishme mbështetja institucionale për kriminelët e dënuar të luftës, një pjesë e së cilës është e dukshme edhe këto ditë në ngjarjen rreth muralit të Ratko Mlladiçit në Beograd.
Diskutohet hapur ideja e botës serbe, e cila në përmbajtjen e saj vepron si një version i përditësuar i idesë së Serbisë së Madhe, por që zbatimi në fazën e parë është disi më i sofistikuar dhe përfshin shfrytëzimin e mbështetjes së njërit prej aktorëve malinjë kyç në rajon – Federatës Ruse. Prandaj, në thelb, në këtë moment, partneriteti midis BE-së dhe SHBA-së është vendimtar në luftimin e veprimeve përçarëse dhe frenimit të ndikimeve malinje. Është e pritshme, të paktën në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, që disa vende të BE-së, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të fillojnë të shkurtojnë flukset financiare ndaj nismëtarëve të krizës dhe margjinalizimit të tyre politik. Hipotetikisht, NATO mund të ketë edhe të ashtuquajturat Over the horizon forca, por nuk jam i sigurt se do të ketë ndonjë angazhim në këtë drejtim.
KosovaPress: Ne kemi parë Presidentin Biden të rikthejë në Ballkan disa nga diplomatët më të suksesshëm amerikanë në vitet 1990. A mendoni se këta ambasadorë do të duhet të përballen me probleme të ngjashme si në vitet ’90-ta?
Turcalo: Kriza në rajon ka qenë një kategori e përhershme që nga përfundimi i luftërave agresive të zhvilluara nga Republika Federale e Jugosllavisë përkatësisht Serbia në rajon. Brenda një krize, vetëm intensiteti i konfliktit ndryshon. Për momentin, ne në Bosnje dhe Hercegovinë jemi në situatën të rëndë që nga përfundimi i agresionit ndaj shtetit. Nga përmbajtja e veprimeve dhe dokumenteve të miratuara nga qëndrimi politik në entitetin e Republikës Srpska është shumë e qartë se ata janë të gatshëm për shkatërrim të plotë dhe shtyrje të shtetit në dhunë. Kjo është arsyeja pse duket se detyra e ekipit të ri diplomatik të administratës Biden në rajon mund të jetë parandalimi i konfliktit në vend që të punojë për përparimin në rajon.
KosovaPress: Pas këtyre tensioneve, Perëndimi e ka kthyer vëmendjen nga Bosnja dhe Hercegovina. I dërguari i SHBA në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte në Sarajevë këtë javë. Diplomati Escobar ka zhvilluar një takim me zotin Dodik dhe ky i fundit duket se është tërhequr nga lëvizja e tij. E shihni këtë si hipokrizi, apo Dodik do të tërhiqet vërtet nga kërcënimet e tij?
Turcalo: Duke gjykuar nga lëvizjet pas vizitës së Escobarit në Bosnje-Hercegovinë, vetëm retorika e Milorad Dodik ka humbur paksa intensitetin e saj, por qasja e ambasadës ruse, e cila mbështet përpjekjet e tij për të rrëzuar sovranitetin e shtetit dhe për të ndërtuar parainstitucione është më intensive dhe agresive. Megjithëse aktualisht po taktizohet për caktimin e një sesioni të Asamblesë Kombëtare të etnitetit të Republika Srpska për të miratuar ligjet që krijojnë parainstitucione, hapi i parë është bërë tashmë me miratimin e ligjit të Agjencisë së Barërave në RS.
KosovaPress: Një numër i madh i organizatave joqeveritare u kërkuan autoriteteve turke që të ndërhyjnë për të ndihmuar Bosnjën dhe Hercegovinën. Nuk e di nëse kjo kërkesë është për të tërhequr vëmendjen e Bashkimit Evropian, i cili disi nuk ka qenë shumë i vendosur në qëndrimet e tij. Sa ka gjasa që Turqia të përfshihet në këtë krizë, duke qenë se tanimë Turqia ndihet me fuqi ndikimi?
Turcalo: Nuk jam i sigurt se Turqia do të shfaqet në një rol më të madh se ai ndërmjetësues, që nënkupton mbledhjen e liderëve boshnjakë përkatësisht rajonalë në një lloj ndërmjetësimi. Për sa i përket fuqisë dhe kapacitetit të ndikimit, megjithatë, SHBA dhe BE janë aktorë vendimtarë që mund të çojnë në de-eskalimin e krizës.
KosovaPress: Por, z. Dodik ishte i ftuar edhe në Turqi, ku u prit nga niveli më i lartë shtetëror, përfshirë presidentin Erdogan. Cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo vizitë dhe mesazhet e dhëna nga Ankaraja.
Turcalo: Turqia mund të veprojë si ndërmjetëse, por nuk shoh se mund të ketë kapacitetin për të ndikuar dhe për të përshkallëzuar situatën aktuale. Mesazhet po lëvizin në drejtim të stabilizimit dhe këtu është thelbësore nevoja e presionit për të tërhequr vendimet e deritanishme të Asamblesë dhe Qeverisë së etnitetit dhe për të pamundësoj strukturën qeverisëse në entitetin e RS që të rivendos veprime të tilla.
KosovaPress: Shpesh shohim që liderët e tre etnive në Bosnje vrapojnë, për shembull, Millorad Dodik në Beograd, Z. Izetbegovic në Ankara, Dragan Çoviq në Zagreb, dhe duket se prej asnjërës nga këto qendra nuk merren mesazhe për ruajtjen dhe forcimin e paqes. Për ne që i shohim zhvillimet nga jashtë, përqendrimi i këtyre drejtuesve në këto tre qendra është një sinjal se ata duan t’i masin forcat në mënyra të tjera, pra nga distanca, jashtë tavolinës. Më intereson per mendimin tuaj?
Turcalo: Roli i shteteve të përmendura në historinë e re të Bosnjës dhe Hercegovinës ka qenë i ndryshëm. Ato duhet të shihen edhe sot nga ky këndvështrim. Vendet fqinje vazhdojnë të kërkojnë të arrijnë të ndikojnë në mënyrë disproporcionale në politikën e brendshme të Bosnje-Hercegovinës dhe shumë shpesh, si muajt e fundit, ky ndikim çon në përpjekje për të polarizuar, copëtuar dhe etnizuar më tej shtetin dhe shoqërinë në Bosnje-Hercegovinë. Nga ana tjetër, mendoj se roli i Turqisë për momentin nuk mund të shihet jashtë kuadrit të një shteti mik. Ajo që vihet re është se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Bosnjë-Hercegovinës shpesh janë më të mbushura me emocione dhe marrëdhënie personale midis liderëve politikë, ndërsa në segmente të tjera ndërmarrësit turq ende e shohin stabilitetin dhe fitimin si një faktor vendimtar në investime. Edhe pse Turqia i ka ofruar një sërë përfitimesh Bosnjës dhe Hercegovinës në shkëmbimin ekonomik, është ende e qartë se ajo është dukshëm më e pranishme në tregjet më të mëdha në rajon.
KosovaPress: Dhe pyetja ime e fundit, si mund të kapërcehet kriza?
Turcalo: Kriza mund të kapërcehet nëse koordinohen opsionet politike pro-boshnjake së bashku me komunitetin ndërkombëtar, ta izolojnë Millorad Dodikun dhe regjimin e tij qeverisës në entitetin e Republika Srpska në nivel të brendshëm dhe ndërkombëtar, dhe komuniteti ndërkombëtar përmes sanksioneve të synuara të sjellë shfuqizimin e tij. Për më tepër, nevojitet një angazhim më i fortë i SHBA-së dhe vendeve kyçe të BE-së për të penguar ndikimin malinj të Rusisë dhe për të kufizuar aktivitetet përçarëse të Serbisë në rajon. Në të kundërtën, kjo është vetëm pjesa e parë e krizës, e cila mund të intensifikohet në muajt në vijim dhe të ndikojë negativisht në të gjithë rajonin.
/ Sead Turcalo është një profesor eminent i Gjeopolitikës dhe Sigurisë Ndërkombëtare dhe Dekan në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.