Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaDASH nuk konfirmon, as mohon ftesën e Kosovës në Samitin për Demokraci

DASH nuk konfirmon, as mohon ftesën e Kosovës në Samitin për Demokraci

Mediat lokale në Kosovë janë duke raportuar se Kosova është ftuar në Samitin për Demokraci, të organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Ky Samit, që organizohet për herë të parë, do të zhvillohet vitualisht më 9-10 dhjetor, dhe në të do të marrin pjesë liderë nga shumë vende të botës, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe sektori privat.

Edhe Zëri i Amerikës ka raportuar në gjuhën serbe se ka marrë vesh nga disa burime në Uashington se ka mundësi që Kosova dhe Serbia të ftohen në këtë Samit.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ftesat nuk janë publike andaj nuk mund të konfirmojë apo të mohojë ftesat.

“Ne do të vazhdojmë të theksojmë se ky Samit synon të jetë gjithëpërfshirës nga një skemë e larmishme rajonale dhe socio-ekonomike e demokracive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim”.

Në listën e publikuar jozyrtarisht nga e përditshmja amerikane, Politico, nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Samit nuk është ftuar Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Në anën tjetër, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ftuar.

Lista e të ftuarve ende mbetet në nivel informacionesh jozyrtare.

Mirëpo, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka konfirmuar të premten, 12 nëntor, për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se Serbia do të jetë pjesë e këtij Samiti.

Bërnabiq, e cila është duke marrë pjesë në organizimin e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) për 75-vjetorin e themelimit, ka thënë se ftesa përbën lajm të mirë, ndonëse nuk ka arsye për eufori.

“Presidenti (serb) Aleksandar Vuçiq do të marrë pjesë online. Kemi marrë ftesën dhe kjo flet për hipokrizinë dhe kritikat pakuptim në vend dhe në rajon”, ka thënë Bërnabiq.

Pjesëmarrjen e Serbisë në Samit e ka konfirmuar edhe Ambasada amerikane në Beograd, ka raportuar Zëri i Amerikës në gjuhën serbe.

Ditë më parë, një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në këtë Samit.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë dërguar letër ditë më parë Zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil, në të cilën kanë dhënë arsyet e tyre pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

Samiti për demokraci do të ketë tri tema kyçe: mbrojtjen kundër autoritarizmit, adresimin dhe luftimin e korrupsionit dhe avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

Pas takimit të parë dhe konsultimeve në të, Biden do të ftojë liderët botërorë sërish, që të diskutojnë rreth përparimit të bërë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments