Monday, November 25, 2024
HomeBotaShBA-ja deklarohet për krizën në kufirin Poloni – Bjellorusi

ShBA-ja deklarohet për krizën në kufirin Poloni – Bjellorusi

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, tha të premten se vendi i saj është shumë i shqetësuar për situatën në kufirin mes Polonisë e Bjellorusisë.

“Për çështjen e Bjellorusisë dhe për atë që po ndodh në kufirin me Poloninë, ne jemi shumë të shqetësuar për këtë dhe po i kushtojmë vëmendje nga afër”, tha Harris në një konferencë për gazetarë në Paris.

“Unë besoj se regjimi i Lukashenkos është i angazhuar në aktivitete shumë shqetësuese. Është diçka për të cilën kam diskutuar me Presidentin Macron (të Francës) dhe sytë e botës dhe të udhëheqësve të tyre janë duke shikuar se çfarë është duke ndodhur atje”, shtoi ajo.

Bashkimi Evropian e ka akuzuar Bjellorusinë për “sulm hibrid” ndaj bllokut duke sjellë mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, dhe duke i shtyrë ata për ta kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me Poloninë. BE-ja po përgatitet për t’i vënë sanksione të reja Bjellorusisë, vend me pushtet autoritar.

Për situatën në kufi kanë reaguar edhe Kombet e Bashkuara. Në një deklaratë të përbashkët pas një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, Irlanda, Shqipëria, Norvegjia dhe Estonia e dënuan atë që e cilësuan “instrumentalizim të orkestruar të qenieve njerëzore, jeta dhe mirëqenia e të cilave janë vënë në rrezik për qëllime politike nga Bjellorusia”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments