Këshilltarja e kryeministrit Kurti, Fëllanza Podrimja ka lëshuar një postim skandaloz në profilin e saj në Twitter duke u tallur me seriozitetin e situatës së COVID-19 në Gjermani.
Fakti se shteti mik i Kosovës, Gjermania është në vendin e parë në botë sa i përket shifrave me pandeminë, nuk ia ka lënë fort shenjë këshilltares së kryeministrit Kurti, Fëllanza Podrimja.
Kjo e fundit, në Twitter e ka shpërndarë grafikonin me numrat e rasteve të reja dhe vdekjeve në këtë shtet, duke ia “propozuar” Arben Vitinë për shpëtimtar në formë ironie, pavarësisht se bëhet fjalë për jetë njerëzish.
“Përshëndetje Gjermani. A ju nevojitet Arben Vitia për t’i vendosur gjërat në rregull? Kjo është e tmerrshme”, ka shkruar ajo.
Një postim i tillë nga një këshilltare politike e të parit të qeverisë së Kosovës nuk ka lënë pa u kritikuar fuqishëm nga ata që e kanë parë atë.
“Jesus, çfarë lloji këshiille e politikës së jashtme është kjo? Aspak qesharake apo e zgjuar. Nuk jemi në pozitë për të bërë hajgare”, ka shkruar njëri nga komentuesit.
Ndryshe, Arben Vitia si ministër i Shëndetësisë do të njihet për “verën e zezë” ku u thyen të gjitha rekordet e rasteve të reja dhe vdekjeve nga COVID-19.
Ai dha dorëheqje nga kjo pozitë për t’i hyrë garës për Prishtinën.