Monday, November 18, 2024
HomeLajmeKosovaPropozohen prova të reja nga mbrojtja në gjykimin për dallavere me prona...

Propozohen prova të reja nga mbrojtja në gjykimin për dallavere me prona në Fushë Kosovë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së premtes, mbrojtja ka propozuar prova të reja, në rastin ku për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, po akuzohen Arben Bashota dhe vëllezërit Osman e Sylejman Bajrami.

 

Tre të akuzuarit, në vitin 2019 ishin shpallur fajtorë, por ky aktgjykim ishte prishur nga Apeli

Në seancën e së premtes, mbrojtësi i të akuzuarit Arben Bashota, avokati Ilir Hoxha ka propozuar disa prova të reja, të cilat janë mbështetur nga mbrojtësit e të akuzuarve Osman dhe Bajram Sylejmani, avokatët Blerina Kurtaj dhe Isa Ostdautaj.

Ndërsa, prokurorja Merita Bina-Rugova ka kërkuar shtyrjen e seancës në mënyrë që të deklarohet lidhur me provat e mbrojtjes, propozim të cilin e mbështetën të dëmtuarit.

Ndryshe, fillimisht në këtë seancë i dëmtuari Murat Tërnava si provë ka propozuar një aktvendim të Gjykatës së Apelit, e cila është kundërshtuar nga mbrojtja si e parëndësishme dhe e papranueshme.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi me vendim e ka aprovuar propozimin e prokurores Bina-Rugova dhe seancën e ka shtyrë deri më 23 nëntor 2021.

Në seancën e së enjtes, është bërë administrimi i provave materiale në këtë gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 6 maj 2019, tre të akuzuarit ishin shpallur fajtorë, ku për veprën penale të detyrimit, lidhur me veprën penale të bashkimit kriminal, i akuzuari Bashota ishte dënuar me 6 vjet burgim, Osman Bajrami ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Sylejman Bajrami ishte dënuar me 3 vjet burgim.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues i kryesuar atëherë nga gjykatësi Arben Hoti, kishte bërë të ditur së kanë rikualifikuar veprën penale të  krimit të organizuar, për çka akuzoheshin të pandehurit nga PSRK-ja, në veprën penale “Detyrimi”, lidhur me veprën penale bashkim kriminal.

Mirëpo, ky aktgjykim është prishur nga Gjykata e Apelit, e cila kishte gjetur se dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë dhe kontradiktor me vetveten, pasi që nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese të të akuzuarve, nuk kuptohet me saktësi se për cilat veprimet konkrete të akuzuarit janë shpallur fajtorë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 gusht 2016, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, tre të akuzuarit së bashku me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri, dhe me disa persona të tjerë të paidentifikuar, duke vepruar si grup kriminal në krye me të akuzuarin Bashota, gjatë periudhës kohore shumë vjeçare kishin kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit financiar.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit, që nga viti 2004 kishin bërë presione të vazhdueshme në të dëmtuarit Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani, që ta lirojnë pronën kontestuese në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh e cila gjendet në Fushë-Kosovë, të cilën pronë e kishte marrë në shfrytëzim i dëmtuari Tërnava për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Në këtë pronë, të dëmtuarit kishin ndërtuar objekte në vlerë prej më shumë se 5 milionë euro.

I akuzuari Bashota pretendohet se kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë, i datës 21 shkurt 1997, sipas të cilit, kjo ngastër kadastrale i kthehej në pronësi personit Marko Mitroviq, si dhe një tjetër aktgjykim po ashtu të falsifikuar, me të cilin kinse Mitroviq e kishte autorizuar atë që në emër të tij të ndërmarrë veprime juridike.

Pas kësaj, me këto dokumente false, Bashota kishte kërkuar regjistrimin e ndryshimeve pronësore në kadastër duke vënë ne lajthim drejtorin për Kadastër dhe Gjeodezi, i cili më 10 mars 2004, kishte marrë aktvendim që kjo ngastër kadastrale të kalojë në emër të personit Mitroviq Marko.

Në aktakuzë thuhet se me përpjekje për të përvetësuar këtë pronë, të akuzuarit kishin siguruar 6 kontrata të falsifikuara, sipas të cilave Marko Mitroviq pronën ia kishte shitur personave Xhavit dhe Shemsije Bashota, Smajl Mehmeti, Xhyle Maraj, Violeta Ahmeti dhe Myzafer Maliqi.

Duke përdorur këto dokumente, të akuzuarit kishin insistuar tek të dëmtuarit që ta lirojnë pronën, duke u paraqitur se toka ishte e tyre dhe që nga viti 2007, kishin filluar të përdornin edhe kërcënime serioze për t’i detyruar të dëmtuarit që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ruzhdi Shaqiri, por ai ishte vrarë në gusht të vitit 2014 në Skenderaj, për të cilin rast Gani Geci, më 3 qershor të vitit 2016, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, por Gjykata e Apelit, në tetor të vitit 2017, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments