Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane bëri të ditur se takimi i radhës në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë do të mbahet më 16 nëntor, të martën e ardhshme.
Derisa Bislimi theksoi se në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, është vlerësuar puna e Qeverisë, siç është marrëveshja për targat.
Më 30 shtator të këtij viti (2021) në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian është arritur marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo pasi që 11 ditë më parë Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat e automjeteve që vijnë nga Serbia. Për të cilën masë reaguan nga Serbia, madje ishin bllokuar pika kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Në marrëveshjen e arritur në Bruksel ishin tri pika. E para ishte që “Njësitet speciale policore të vendosura në pikë kalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë”, ndërsa e dyta ishte thënë që “Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme”, si dhe pika e tretë ishte që “Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë”.
Raundi i ri i bisedimeve në nivel kryenegociatorësh do të mbahet të martën më 16 nëntor.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se temë e diskutimit do të jetë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, energjisë dhe lëvizja e lirë.
“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e paraparë për datën 16 nëntor 2021 në Bruksel në nivel kryenegociatorësh. Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, tregoi Kryeziu.