Friday, November 22, 2024
HomeLajmeKosovaMashtrimet me “Call Center”, Gjermania do të kërkojë ekstradimin e të paktën...

Mashtrimet me “Call Center”, Gjermania do të kërkojë ekstradimin e të paktën 6 të arrestuarve

Bashkëpunimi i autoriteteve kosovare me ato gjermane ka rezultuar me një operacion të suksesshëm në 17 lokacione në Kosovë, me arrestimin e 18 personave e mbi 2 milionë euro të ngrira pas dyshimeve për mashtrime të shtetasve gjermanë përmes “Call Center”.

Dy prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg të Gjermanisë dhe dhjetë oficerë nga departamenti i hetimit penal morën pjesë në operacionin e gjerë në Kosovë që rezultoi me 18 persona të arrestuar dhe ngrirjen e mbi 2 milionë eurove, përmes mashtrimeve me “Call Center”.

Për aksionin e nisur më 31 mars të këtij viti në vazhdimësi ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës, megjithatë detaje për Express ka dhënë edhe prokuroria gjermane.

Përmes një komunikimi me shkrim, Prokuroria e Përgjithshmë në Bamberg të Gjermanisë, tha për Gazetën Express se 18 personat e arrestuar janë të moshës 22 deri 45 vjeç, punonjës dhe drejtues të qendrave të thirrjeve (Call Center).

Reklamë

“Të arrestuarit janë punonjës të qendrave të thirrjeve që ishin veçanërisht “të suksesshëm” në mashtrimin e viktimave gjermanofolëse si dhe nga ana tjetër, drejtues të qendrës së thirrjeve”.

Nga Prokuroria Gjermane kanë treguar se do të kërkojnë që të paktën 6 nga të arrestuarit të ekstradohen në Gjermani.

“Të arrestuarit vijnë nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Autoritetet gjermane gjithashtu kanë treguar se cak i këtij grupi personash të arrestuar kanë qenë investitorë të ndryshëm nga mbarë Evropa.

Prokuroria gjermane tha se në të njëjtën kohë, dy urdhra kërkimi u kryen edhe në Berlin. Teksa lufta kundër “tregtisë së fshehtë” -mashtruese, ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes.

Përveç tjerash, për suksesin e aksionit, gjermanët kanë falendëruar autoritetet kosovare.

“Hetuesit bavarezë dëshirojnë të falënderojnë partnerët e tyre kosovarë për bashkëpunimin e besueshëm dhe profesional dhe mundësinë për të marrë pjesë në veprimet në terren. Marrëdhëniet e mira mes Qendrës për Krime Kibernetike në Bavari dhe shërbimeve policore të përfshira dhe partnerëve të tyre evropianë kanë provuar edhe një herë se janë jashtëzakonisht të vlefshme. Krimi nuk ndalet në kufij – ndjekja penale efektive kërkon gjithashtu bashkëpunim ndërkufitar. Hetimet komplekse dhe që marrin kohë nga ana e Qendrës së Krimit Kibernetik dhe Inspektoratit të Policisë Kriminale Neu-Ulm janë duke vazhduar. Për të mos rrezikuar hetimet e vazhdueshme në mbarë Evropën, detaje të mëtejshme mbi statusin e procedurave nuk mund të zbulohen për momentin”, thuhet në përgjigjen për Express.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot se aksioni i zhvilluar në 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, ka vazhduar edhe gjatë ditëve në vijim.

Deri më tani janë sekuestruar dhe ngrirë 2.389.750 euro

Vlen të theksohet se nga data 31 mars 2021 e deri më sot nga ky operacion i Prokurorisë Speciale janë gjetur dhe sekuestruar 1.689.750.00 euro, janë ngrirë 700.000 euro, janë sekuestruar 9 vetura, janë arrestuar 18 persona, si dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale.

Para këto të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë e  “Call center” në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Krimit të organizuar”.

Lidhur me rastin, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj: K.G.,F.D.,I.L.,E.L.,F.K.,N.M.,I.S., M.K.,D.H.,M.T.,V.K.,A.Z.,L.H.,Ç.Q.,A.N.,A.V.,I.XH.,A.DH., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Mashtrim.

“Ekziston dyshimi i bazuar se që nga viti 2018 dhe në vazhdimësi deri me datën 31 mars 2021, të pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki dhe me role të përcaktuara, të udhëhequr nga të pandehurit A.F. dhe F.D. dhe në bashkëpunim mes vete, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar për kryerjen e veprimeve mashtruese në formën e ashtuquajtur tregtisë kibernetike, përmes platformave dhe një softueri të programuar për drejtimin e platformave të tilla, të njëjtit paraqiten si tregtar në disa faqe internetit të cilët u drejtohen personave të interesuar në Gjermani, duke i kontaktuar përmes telefonit dhe duke i bindur personat e interesuar me premtime për fitime të larta duke i vu të njëjtit në lajthitje e që ata u besonin për të bërë pagesa në llogari të ndryshme, për kompanitë të cilat e ushtrojnë biznesin e shërbimeve telefonike ( Call Center), ndër to janë F.M. LLC., M.R LLC., W.M., W.M.C.SHPK”, ka njoftuar Gjykata.

Të njejtit dyshohen se kanë kryer veprat penale Mashtrim nga neni 153 paragrafi 1 dhe paragrafi 3, sipas Kodit Penal të shtetit Gjerman, e kryer në grup, e që lidhet me veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 lidhur me veprën penale mashtrimi nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Humbja financiare e të dëmtuarve arrin në rreth 4 milionë euro.

Ky aksion u realizua nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policor dhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg – Gjermani.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments