Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka pritur sot në takim të përbashkët ambasadorin e Austrisë në Prishtinë Christoph Weidinger dhe udhëheqësin e Misionit të Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek.
Takimi vjen si vazhdimësi e iniciativës së grupit trepalësh Austri, Çeki dhe Sllovaki për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor në politikat, programet dhe aktivitetet e BE-së, në mënyrë që të avancojnë në rrugën drejt integrimit evropian.
Palët diskutuan lidhur me fushat në të cilat vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për mbështetje më të madhe nga BE-ja.
Në këtë kontekst u përmendën procese dhe projekte që u sjellin përfitime direkte qytetarëve siç është lëvizja pa viza në rajon, agjenda e gjelbër, transporti, inovacioni, programet për të rinj, arsimi dhe programet për shkëmbime, komunikimi strategjik, siguria dhe stabiliteti në rajon e shumë fusha të tjera.
Ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të qenë pjesë aktive në iniciativat që i trajtojnë si të barabarta vendet e Ballkanit Perëndimor, ku është e përfshirë BE-ja dhe nga të cilat përfitojnë qytetarët.