Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaEksperti amerikan: Kosova u përjashtua nga Samiti i Demokracisë sepse Kurti s’e...

Eksperti amerikan: Kosova u përjashtua nga Samiti i Demokracisë sepse Kurti s’e ka prioritet dialogun

Profesori amerikan në universitetin Johns Hopkins, Alon Ben-Meir, ka konsideruar se arsyeja përse nuk është ftuar kryeministri Albin Kurti në Samitin e Demokracisë të mbajtur nga SHBA është mos-prioritizimi i dialogut.

 

Ben-Meir, me anë të një postimi në llogarinë e tij zyrtare në ‘Facebook’,  ka thënë se fakti që vendosi dialogun për kah rëndësia e katërt nuk është pritur mirë në Washington.

“Duke pasur parasysh faktin se shumë pak është bërë e ditur për Samitin për Demokraci, është e vështirë të thuhet me siguri absolute pse nuk u ftuan Kosova, Serbia dhe Bosnja. Por në bazë të hulumtimit tim duket se Kosova është përjashtuar sepse kryeministri Kurti ende nuk e vendos dialogun me Serbinë si prioritet kryesor, për të cilën administrata Biden mendon se është e nevojshme për zgjidhjen e konfliktit”, deklaroi ai.

“Edhe pse Kurti është fokusuar në temat e prekura në Samit, që është lufta kundër korrupsionit, mbrojtja nga autoritarizmi dhe avancimi i të drejtave të njeriut, fakti që Kurti e vendosi konfliktin me Serbinë si numrin katër në axhendën e tij nuk është pritur mirë në Washington”, shtoi tutje njohësi i çështjes së Ballkanit Perëndimor.

Profesori amerikan ka thënë se një ndër arsyet pse Serbia nuk u ftua nga presidenti Biden është edhe minimi i pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me mosftesën e Kosovës në Samitin e Demokracisë, dje është deklaruar kryeministri Kurti. Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk paraqet problem.

“Janë disa gjëra që për bindjen time janë të palëkundshme, siç është partneriteti dhe aleanca me SHBA-në. Nuk është diçka që mbahet prej fijes së perit, është më e thellë, edhe nëse nuk na ftojnë në ndonjë konferencë nuk besoj se paraqet ndonjë problem. Ka shumë konferenca, virtuale dhe fizike”, ka deklaruar ai.

Mos-ftesën e Kosovës në këtë samit opozita dhe shoqëria civile e kanë lidhur me refuzimin e projektit të gazit amerikan, si dhe mos-koordinimin e politikave të Qeverisë Kurtime SHBA-të.

Karshi kësaj, shoqëria civile në Kosovë me anë të një letre drejtuar presidentit amerikan, Joe Biden, kanë kërkuar që të ftohet Kosova në këtë samit.

Samiti i Demokracisë pritet të mbahet virtualisht më 9 dhe 10 dhjetor.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments