Monday, November 25, 2024
HomeBotaPutini mund ta shfrytëzojë krizën me migrantë në Bjellorusi

Putini mund ta shfrytëzojë krizën me migrantë në Bjellorusi

Teksa mijëra migrantë janë nisur drejt Bjellorusisë dhe drejt kufijve të saj me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, po shtohet frika se lideri autoritar i ish-Republikës Sovjetike, Alyaksandr Lukashenka po e shfrytëzon dëshpërimin e personave që po vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika për të larë hesapet me qeveritë që nuk po e pranojnë regjimin e tij.

 

Që prej pretendimit të tij se ka fituar zgjedhjet presidenciale të gushtit të vitit 2020, rezultatet e të cilave gjerësisht konsiderohen se janë manipuluar, Lukashenka ka shtypur brutalisht opozitën ndaj sundimit të tij 27-vjeçar dhe është përfshirë në një luftë të përshkallëzuar fjalësh me zyrtarët perëndimorë, të cilët kanë mbështetur vendosjen e sanksioneve ndaj regjimit të tij dhe kanë paralajmëruar masa të tjera ndëshkuese teksa kriza aktuale me migrantë po vazhdon.

“Lukashenka po tenton që të provojë një lloj lufte të vogël për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e brendshme me të cilat përballet sot Bjellorusia”, tha më 9 nëntor për Current Time analisti politik me bazë në Varshavë, Dmitry Bolkunets.

“Ai dëshiron që ta përqendrojë vëmendjen te vetja dhe të detyrojë vendet perëndimore që të fillojnë të negociojnë me të”, shtoi ai.

Më 9 nëntor, Komisioni Evropian e akuzoi Lukashenkan për “qasje jonjerëzore dhe të stilit të bandave” ndaj personave që arrijnë në Bjellorusi me shpresën se do të kenë një rrugë të lehtë për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian.

Por, disa thirrje për shtensionimin e situatës janë përqendruar më pak në Minsk sesa në Moskë: më 10 nëntor kancelarja gjermane, Angela Merkel i bëri thirrje presidenti rus, Vladimir Putintë përdorë ndikimin e tij që ka ndaj Bjellorusisë për të ndaluar përdorimin “çnjerëzor dhe të papranueshëm” të migrantëve, tha zëdhënësi i saj.

Për një kohë të gjatë, Rusia e ka mbështetur Lukashenkan me dërgesa të subvencionuara të energjisë dhe po ashtu i ka dhënë mbështetje verbale për mospajtimet që ka Bjellorusia me Perëndimin. Shumë besojnë që varësia e Lukashenkas nga Moska është rritur teksa ai vazhdon që të thellojë dallimet me Perëndimin, duke i dhënë Putinit fuqi në rritje mbi liderin që shpesh në të kaluarën e ka përdorur Rusinë kundër Perëndimit.

Në të vërtetë, derisa Lukashenka vazhdon të lëshojë deklarata provokuese dhe të paralajmërojë për pasoja Poloninë, nëse kjo e fundit dërgon trupa në kufirin e saj me Bjellorusinë si pjesë e një fushate transparente për të mbështetur mbrojtjen, Rusia mund të shikojë që të marrë rolin e arbitrit në këtë krizë, ashtu siç ka bërë edhe në konfliktet e kaluara që ka ndodhur në hapësirën post-sovjetike.

Lukashenka, gjatë vitit të kaluar është konsultuar rregullisht me Putinin, si përmes samiteve ashtu edhe përmes bisedave telefonike. Në një bisedë telefonike, që u transmetua në televizionin shtetëror rus më 4 nëntor, Putini u zotua se do ta mbështesë Lukashenkan kundër “ndërhyrjes” së huaj dhe vlerësoi lartë raportet mes dy shteteve ish-sovjetike, teksa të dy liderët kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për integrimin më të ngushtë mes dy shteteve.

“Ne së bashku do të rezistojmë ndaj çdo përpjekjeje për të ndërhyrë në punët tona të brendshme të shteteve tona sovrane dhe Rusia natyrisht se do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për vëllezërit tanë bjellorusë – nuk ka dyshim për këtë”, tha Putin.

Disa liderë të BE-së kanë sugjeruar se Moska qëndron prapa asaj që kancelarja Merkel e përshkruan si “trafikim të njerëzve të mbështetur nga shteti” dhe qeveria e Lukashenkas. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, që u takua me presidentin e Këshillit Evropian më 10 nëntor, tha se kriza aktuale shënon herën e parë që nga përfundimi i sundimit komunist në Evropën Lindore që “integriteti i kufijve tanë po testohet”.

Një ditë më herët, Morawiecki e fajësoi Rusinë, duke thënë në Parlamentin polak se “sulmin që po e kryen Lukashenka e ka organizatorin në Moskë dhe ai është presidenti Putin”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka mohuar këto pretendime, që i ka quajtur si “të papërgjegjshme dhe të papranueshme”.

Por, kërcënimet më luftënxitëse kanë ardhur në javët e fundit nga Lukashenka, përfshirë edhe kërcënimin e tij se do të përdorë ndihmën e forcave të armatosura ruse për të provokuar një krizë ushtarake në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë.

Disa kritikë besojnë se ky është më shumë se një sulm i një lideri autoritar, i cili prej kohësh është thirrur në raportet e tij të ngushta me Rusinë për të nxjerrë koncesione kur gjendet i mbështetur për muri.

“Lukashenka është i njohur për shantazhe, ai prej kohësh e ka shfrytëzuar Putinin dhe Putini ka paguar para”, tha për Current Time, Petras Austevicius, deputet nga Lituania i Parlamentit Evropian. “Dhe padyshim që ai përdorë faktorin Rusi për të frikësuar dhe për të parashikuar ngjarje të caktuara”, shtoi ai.

Deri më tani, Rusia është përmbajtur që të parashikojë ndonjë përshkallëzim serioz për krizën aktuale, megjithëse më 10 nëntor dërgoi avionë ushtarakë në hapësirën ajrore bjelloruse në atë që Ministria e Mbrojtjes tha se ishte një stërvitje rutinë. Komenti zyrtar lidhur me krizën në kufi ka tentuar që të vë në pah atë që Moska thotë se është hipokrizi e Polonisë dhe vendeve të tjera të BE-së mbi çështjen e migracionit dhe policisë kufitare.

Duke qëndruar në këtë linjë, zyrtarë të lartë rusë kanë përmendur kontributet e trupave nga Polonia dhe shtetet e tjera të BE-së në fushatat perëndimore ushtarake në Afganistan dhe Irak dhe kanë pretenduar se këto vende janë pjesërisht fajtore për paqëndrueshmërinë që mbretëron sot në ato shtete, që detyron njerëzit të ikin në ndonjë shtet tjetër për të kërkuar një jetë më të mirë.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kanë ndjekur të njëjtin narrativ, teksa kanë tentuar që ta ndërrojnë situatën duke sugjeruar se Polonia duhet të fajësohet për krizën në kufi e jo Bjellorusia, por nuk kanë prezantuar asnjë dëshmi që do të mund të hidhnin poshtë akuzat se Minsku po orkestron dërgimin e migrantëve në kufijtë e BE-së.

Abbas Gallyamov, një analist politik dhe ish-shkrues i fjalimeve në Kremlin, tha se të paktën thirrja e Merkelit ndaj Putinit që të shfrytëzojë ndikimin e tij ndaj Minskut mund të përdoret si mundësi për të shtyrë përpara të njëjtin narrativ zyrtar – për ta siguruar popullin rus, të paktën, se Perëndimi është i dëshpëruar që Putini të shndërrohet në arbitër dhe ta zgjidhë krizën.

“Ata mund ta thonë me krenari në televizion sesi Perëndimi u gjunjëzua para Putinit”, tha ai. /REL

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments