Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaDënohet me 3 mijë euro gjobë biznesmeni i akuzuar për mashtrim në...

Dënohet me 3 mijë euro gjobë biznesmeni i akuzuar për mashtrim në prokurim publik

Gjykata Themelore në Gjakovë, të enjten, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 3 mijë euro gjobë të akuzuarin Vllaznim Mazreku, për mashtrim në prokurim publik.

Mazreku ngarkohej se si drejtor i kompanisë “Flamuri Sh.p.k”, ka shkelur rregullat e prokurimit publik, ashtu që me qëllim të mashtrimit në prokurim publik ka përdorur dokumentacionin e një personi tjetër, në mënyrë që të ndikonte në vendimin e Komunës së Malishevës në lidhje me një tender të lëshuar nga kjo e fundit.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Nikollë Komani, i akuzuari Mazreku fillimisht është dënuar me 6 muaj burgim dhe 500 euro gjobë, por që edhe dënimi me burgim i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 2 mijë e 500 euro.

Sipas gjykatësit, ndaj të akuzuarit është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ashtu që i ndalohet kompanisë “Flamuri Sh.p.k”, që të marrë pjesë në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik, me pronar të akuzuarin Mazreku, në afat prej 1 viti.

Një ditë më parë, përkatësisht me 10 nëntor, gjykata e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur në mes të akuzuarit dhe Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Vllaznim Mazreku, në periudhën kohore gjatë muajit nëntor të vitit 2020, në cilësi të drejtorit të kompanisë “Flamuri Sh.p.k”, me seli në Malishevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit, duke paraqitur dokumentacione të rreme, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues, Komunës së Malishevës.

Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që në tenderin “Asfaltimi i rrugëve të fshatrave të komunës së Malishevës, Loti-1, Bellanicë, Ngucat, Balincë, Bubel dhe Loti-2 Carrallukë, Turjakë dhe Burim”, pa dijeni dhe pa autorizimin e tij ka përdorur dokumentacionin e Arbnor Hetemit, inxhinier i hidroteknikës, si kontratë mbi projektin, listë e stafit profesional, CV, kopjen e diplomës master, autorizimin për këtë projekt, edhe pse nuk ishte pjesë e kompanisë tenderuese “Flamuri Sh.P.K”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 1 i KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments