Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në përputhje me nenin 108 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës Nr.06/L-055, Ligjin për Gjykatat Nr.06/L-054, Rregulloren (03/2021) dhe Vendimit KGJK-së Nr. 306/2021 të datës 1 nëntor 2021, ka shpallur konkurs publik për pozitën “Gjyqtarë në Gjykatat Themelore në Republikën e Kosovës”.
Përmes një njoftimi, KGJK bën të ditur se numri i pozitave të shpallura është 54, prej të cilave 8 pozita për komunitetin serb në Kosovë.
KGJK me këtë konkurs, fton të gjithë profesionistët e kualifikuar ligjor që të aplikojnë për pozitën e gjyqtarit në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, ky Këshill ka njoftuar edhe për kriteret dhe kualifikimet që do të merren parasysh me rastin e rekrutimit të një kandidati, të cilat mund t’i gjeni (KËTU).
“Neni 10, paragrafi 6 i rregullores 03/2021 përcakton se procesit të rekrutimit kanë të drejtë t’i nënshtrohen vetëm kandidatët e regjistruar në Këshill, në afatin e paraparë me konkurs për aplikim dhe dokumentacion të kompletuar”, thuhet në njoftim.
Kandidatët të cilët nuk kanë aplikuar brenda afatit të paraparë në konkurs si dhe ata që nuk e kanë dorëzuar dokumentacionin e kompletuar sipas kritereve dhe kërkesave të konkursit, nuk do të merren parasysh.
“Neni 37 i Rregullores 03/2021 përcakton se kandidati i cili e ka përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar mbi arsimimin ligjor të organizuar nga ish Instituti Gjyqësor i Kosovës i nënshtrohet vetëm intervistës me gojë dhe procesit të vlerësimit të integritetit personal dhe aftësive profesionale, siç përcaktohet me Rregullore. Provimi dhe trajnimi fillestar mbi arsimimin ligjor i organizuar nga ish Instituti Gjyqësor i Kosovës, siç përcaktohet në paragrafin 1 të nenit 37, do të llogaritet me dy të tretën (2/3) e maksimumit të pikëve, të dy (2) pjesëve të para të provimit, respektivisht testit kualifikues dhe testit me shkrim. Kandidati me pëlqimin dhe kërkesën e tij, mund t’i nënshtrohet procesit të rekrutimit që nga fillimi, sipas procedurave të përcaktuara me rregullore”, thuhet tutje në njoftim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Afati i dorëzimit të aplikacioneve është 15 ditë nga dita e publikimit të konkursit, do të thotë deri më 24 nëntor 2021, kurse formularët e aplikimit mund të shkarkohen nga faqja zyrtare e KGJK-së (www.gjyqesori-rks.org).