Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaShumë ankesa për shkelje ligjore nga shërbyesit civil

Shumë ankesa për shkelje ligjore nga shërbyesit civil

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës- KPMSHCK ka pranuar shumë ankesa për kohën sa kishte mbetur pa anëtarë të Këshillit, të cilët ishin shkarkuar nga deputetët e partisë në pushtet.

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë anëtarëve të KPMSHCK. Por, vendimi në fjalë është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, para pak ditëve.

Në kohën sa çështja po shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese, KPMSHCK ka pranuar afro 300 ankesa nga nëpunësit të ndryshëm civilë të Kosovës dhe aplikuesit për punësim në shërbim civil.

Tashmë anëtarët janë kthyer në vendin e tyre të punës, dhe ka filluar trajtimi i ankesave, shkruan lajmi.net.

“Lidhur me ankesat nuk mund të merret asnjë vendim pa anëtar të Këshillit, sepse ankesat i shqyrton dhe i vendos kolegji i përbërë nga tre anëtarë, i cili përcaktohet me vendim të Këshillit, siç parashihet me nenin 16 paragrafi 3 të Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ndërsa pas vendimit Nr.5184/2021 të datës 27/10/2021 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me që rast është pezulluar menjëherë vendimi nr.08/V-029 i datës 30/06/2021 për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHCK-së, dhe mbi bazë të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese që ka hy në fuqi ditën e publikimit më datë 27/10/2021 Këshilli respektivisht anëtarët e Këshillit janë kthyer në punë dhe vazhdojnë punën normalisht për ushtrimin e mandatit kushtetues dhe ligjor mbi bazë të vendimit që ka qenë në fuqi para shkarkimit respektivisht vendimit Nr.07-V-063 të datës 8 Tetor 2020 të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës për përzgjedhjen e anëtarëve të KPMSHCK-së”, tha për lajmi.net Donika Sanaja-Abrashi, asistente ekzekutive e kryetarit të KPMSHCK.

Sanaja-Abrashi ka treguar se ankesa janë grumbulluar nga muaji korrik deri në fund të muajit tetor, kohë kjo kur nuk kishte Këshill.

“Që më datë 30.06.2021 Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shkarkuar pesë  anëtar të Këshillit, rrjedhimisht nga data 30.06.2021 deri më datë 27.10.2021 kur është pezulluar vendimi i Kuvendit të Kosovës për shkarkim janë pranuar gjithsejtë 288 ankesa”, tha ajo.

Sanaja-Abrashi tregon për afatin kohorë të trajtimit të një ankese.

Sipas saj, Këshilli brenda afatit prej dyzetë e pesë ditësh nga dita e pranimit të ankesës, nxjerr vendim duke e arsyetuar bazën ligjore dhe faktike të vendimmarrjes, përjashtimisht nga paragrafi 1, në rastet kur natyra e lëndës është specifike, Kryetari i Këshillit ka të drejtë të shtyjë afatin e vendimmarrjes edhe për dhjetë ditë pune, siç parashihet me paragrafin e dytë të këtij neni.

Siç ka mësuar lajmi.net, shumica e ankesave që u bënë muajve të fundit i përkasin kontestimit të konkurseve, pastaj kërkesave për kompensim material, ankesave të ndërprerjes së marrëdhënies së punës kundërligjshëm, masave disiplinore, etj.

Për shkak të shkarkimit të Këshillit, ky organ nuk e ka publikuar Raportin e punës për vitin 2020. Derisa numri i ankesave ka qenë rreth 303 ankesa brenda katër muajve. Ndërsa në vitin 2017 ato kanë qenë prej 784.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masën e përkohshme deri me 15 dhjetor të këtij viti ndaj vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e  pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Kështu përmes masës së përkohshme është pezulluar vendimi i kontestuar dhe Kuvendi në këto rrethana duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të rinj deri në një vendim përfundimtarë të gjykatës. Sipas gjykatës vendosja e masës së përkohshme nuk paragjykon pranueshmërinë ose meritat lidhur me rastin në fjalë.

Vendimi për masë të përkohshme ka ardhur pasi Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të kuvendit, kanë kërkuar pranë gjykatës që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë të vendimit për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

“Gjykata gjithashtu sqaroi se, duke pasur parasysh që Vendimi i kontestuar në aspekt procedural në mënyrë që të prodhojë pasoja juridike, nuk e parasheh dërgimin e tij tek Presidentja, i njëjti nuk i nënshtrohet efektit pezullues bazuar në nenin 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e gjykatës. Megjithëkëtë, gjykata ka vlerësuar si të nevojshme vendosjen e masës së përkohshme sipas detyrës zyrtare në këtë rast. Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Me 62 vota për 3 vota kundër, 11 abstenime, Kuvendi kishte shkarkuar pesë anëtarët e KPMShCK-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments