Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Turqi, Avni Spahiu ka folur rreth mos ftesës së vendit tonë në Samitin e Demokracisë në SHBA, si dhe mungesën e ambasadorëve në vendet më të rëndësishme.
Ish-ambasadori i parë i Kosovës pas pavarësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka treguar në këtë intervistë se pse Kosova është lënë jashtë Samitit të Demokracisë në SHBA.
Spahiu ka thënë se mos ftesa nga SHBA-të ka qenë një befasi jo e këndshme, duke shtuar se është për keqardhje se pse vendi ynë nuk është ftuar në Samitin e Demokracisë.
“Në fillim ishte befasi jo e këndshme, sepse SHBA jo vetëm që na kanë ftuar ndër të parët në organizime të tilla në të kaluarën, por kanë ndikuar edhe te shtetet tjera që kur nuk na kanë ftuar që të sigurojnë një ftesë për Kosovën. Është për keqardhje që nuk jemi ftuar, sepse siç duket raportet me SHBA-në fatkeqësisht janë në pikën më të ulët. Duke pasur parasysh se ne jemi krijesë e SHBA-së, dhe kemi pasur mbështetjen e patundur në të gjitha fazat e zhvillimit në Kosovë, duke përfshirë periudhën para lufte, ku SHBA ka luajtur një rol kyç në përkujdesjen e popullit të Kosovës në një kohë kur ne pothuajse ishim në një gjendje të pa shpresë, nën regjimin serb, nën presionin e tmerrshëm etj.
Por, edhe gjatë periudhës pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, SHBA ka qenë me ne në çdo hap. Tani kemi arritur në një pikë ku më nuk na bëjnë përshtypje”, është shprehur Spahiu.
Duke folur për raportet Kosovë – SHBA, Spahiu theksoi se mos ftesa për Samit është alarm për raportet, duke numëruar tri arsye pse kanë ardhur gjërat deri në këtë pikë.
“Ka disa faktorë, kemi parë disa lëvizje jo fort të matura të Qeverisë, siç është projekti i gazit, që është në interes gjeostrategjik të SHBA-së dhe ne treguam një injorim, jo vetëm që së pranuam por edhe që e kaluam shumë shpejtë. E dyta, është një farë lloj qëndrimi jo fort i gatshëm për tu angazhuar në procesin e dialogut në mënyrë më konstruktive. E treta është hezitimi për të pranuar marrëveshjen e Donald Trump midis dy vendeve, që ishte në Washington që u nënshkrua nga pala amerikane dhe nga të dyja palët që ishin atje. Dhe zgjedhja jonë që të kemi një pranim selektiv të pikave të asaj marrëveshje”, ka potencuar ai për Telegrafin.
Ish ambasadori deklaroi se Kosova nuk e ka luksin që të përzgjedhë se cilat pika të marrëveshjes së arritur në Washington do të zbatojë, pa marrë parasysh se marrëveshja është arritur nga një qeveri e mëparshme.
Pavarësisht situatës së krijuar, Spahiu vlerëson se SHBA nuk do të hakmerret në të ardhmen ndaj Kosovës, duke shtuar tutje që liderët kosovarë duhet të gjejnë mënyra për rregullimin e raporteve.
“Unë mendoj që nuk është diçka që mund të na hakmerren në të ardhmen, nëse i biem alarmit dhe e dëgjojmë zilen e alarmit, dhe vendosim raportet në binaret e duhura. Liderët tanë duhet të gjejnë mënyrë që të organizojnë takim të lartë në SHBA me liderët dhe të bisedojnë për pengesat”, ka pohuar ai.
Spahiu gjatë intervistës e ka quajtur të pajustifikueshme mungesën e ambasadorëve në shtetet e ndryshme në botë. Gjithashtu ai ka komentuar edhe situatën në rajon, dhe tensionet në Bosnjë e Hercegovinë.