Radio Evropa e Lirë ka publikuar një infografikë që tregon rrugën e Kosovës në këtë drejtim që nga viti 2008.
Në po këtë vit kishte nisur dialogu për liberalizimin e vizave me pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Evropian kishte dorëzuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën. Udhërrëfyesi nuk i ishte dorëzur Kosovës.
Pas një viti, pra në vitin 2009, Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina s’kishin marr rekomandimin, meqë konsiderohej se nuk i kishin përmbushur kriteret. Kosova, që nuk e kishte marrë udhërrëfyesin nga KE’ja, cilësohej si vend ku “kërkesat teknike për liberalizimin e vizave ende nuk janë përmbushur”.
Në dhjetor të 2009’ës, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi morën liberalizimin e vizave.
Për Shqipërinë e Bosnjën e Hercegovinën, vizat u hoqën në dhjetor të vitit 2010.
Pas dy vitesh nga liberalizimi i vizave për këto shtete, Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Numri i kritereve ishte dyfish më i lartë në krahasim me udhërrëfyesit për shtetet e tjera të rajonit.
“Të përpiqet tqë ta përfundojë, në mënyrë të koordinuar me palën tjetër, përcaktimin e kufirit/pikës kufitare me Malin e Zi”, është një nga kriteret për Kosovën në udhërrëfyes.
Në maj të 2016’ës, Komisioni Evropian kërkoi nga Kosova që ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi para se të rekomandojë liberalizimin e vizave.
Në korrik të vitit 2016, Komisioni Evropian kishte konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i rekomandoi shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian heqjen e regjimit të vizave.
Pas dy muajsh, Parlamenti Evropian (një nga dy institucionet që duhet të vulosë vendimin) votoi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Vendimi final mbetet te Këshilli i Ministrave. Aty nevojitet shumicë e kualifikuar që të kalojë ky vendim.
Deri tash, votimi për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është prezantuar asnjëherë në takimet e ministrave të BE’së.