Sunday, November 24, 2024
HomeBotaDodik në takim me Erdoganin: “Paqja nuk ka alternativë”

Dodik në takim me Erdoganin: “Paqja nuk ka alternativë”

Anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, takoi të martën në Ankara presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

 

Sipas ueb-faqes zyrtare të presidentit turk, dy zyrtarët patën një drekë pune.

Detajet e takimit nga zyra e presidentit turk nuk u bënë të ditura.

Dodik tha për Radion Republika Sërpska se “ata janë pajtuar se paqja nuk ka alternativë”.

“Kërcënimi me forcë nuk mund të zgjidhë asnjë problem. Të tjerët e kanë imponuar atë temë. Erdogan është i njoftuar me situatën në Bosnje dhe kjo ka qenë një mundësi për t’ia paraqitur atë nga këndvështrimi ynë. Kërkojmë mirëkuptim për proceset politike”, tha Dodik.

Dodik njoftoi për vizitën e tij në Ankara të hënën, pas takimit që zhvilloi me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar qëndroi për vizitë në Bosnje në kohën kur ky vend është përfshirë nga kriza politike, pasi përfaqësuesit e Republikës Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe – nuk janë duke marrë pjesë në punën e institucioneve shtetërore.

Bojkotimi ka nisur qysh në fund të korrikut, kur ish-përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

Dodik është duke kërcënuar edhe me ndarjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

Përfaqësuesi i tanishëm i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, ka paralajmëruar se ky vend mund të rrëshqasë drejt një konflikti të ri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments