Ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se lënia e Kosovës jashtë orbitës së SHBA-së në Samitin e Demokracisë është e rëndë, e sidomos, kur vendi ynë futet në një ‘shportë të izolimit së bashku me Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë’.
Mustafa ka thënë se Kosova nuk e meriton të drejtohet nga ata që diskomunikohen nga SHBA-të.
Ai madje theksoi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, jo që s’u ftuan në Washington, por nuk iu dha mundësia të shihen as në ekranet e llaptopëve
“Jo që s’janë ftuar në Washington znj. Osmani dhe z. Kurti por as në një takim virtual nuk iu është dhënë mundësia të shihen në rrethin e 100 shteteve të ftuara nga Presidenti Bajden, pra as në ekrane të llaptopëve. Kosova nuk duhet të jetë indiferente ndaj kësaj situate, aq më pak liderët aktualë”, tha Mustafa.
Mustafa madje kërkoi që Osmani e Kurti t’u tregojnë qytetarëve se pse Kosova është lënë jashtë këtij Samiti.
“Kosova nuk e meriton të drejtohet nga ata që diskomunikohen nga SHBA-të, të cilat mbi 30 vjet qëndrojnë të jenë aleati kryesor i pavarësisë së vendit tonë e mbi 100 vjet aleat i shqiptarëve. Ata duhet tu tregojnë qytetarëve të Kosovës pse janë janë lënë jashtë, pse s’po pranohen nga administrata amerikane, sepse këtu nuk flitet për diskomunikim të liderëve por të Kosovës si shtet”.
Kosova nuk është ftuar që të marrë pjesë në këtë samit që do të mbahet virtualisht më 9 dhe 10 dhjetor.