Lionel Messi e ka pranuar se ishte ndier i lënduar nga fjalët e presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, pas largimit të tij nga klubi në verë, duke thënë se kurrë askush në klub nuk i kishte kërkuar të luante falas për Barçën.
Messi i kaloi 21 vjet në klubin katalonas, kur u bë njëri prej futbollistëve më të mirë, nëse jo më i miri, në historinë e këtij sporti.
Por 34-vjeçari u detyrua ta largohet nga klubi në verë, megjithatë, sepse Barça nuk ishte në gjendje t’i mundësonte atij kontratë të re për shkak të telasheve financiare.
Përfundimisht, Messi iu bashkua Paris Saint-Germainit si lojtar i lirë, por së fundmi Laporta tha se ai ka mundur të qëndronte në Camp Nou nëse do të ishte i gatshëm të luante pa rrogë javore.
Kur ishte pyetur për kalimin e Messit në Paris, Laporta kishte thënë për RAC1 në tetor: “Shpresoja se Messi do ta bënte kthesën e madhe dhe do të thoshte se do të luante falas për ne. Do të më kishte pëlqyer kjo. La Liga do ta kishte pranuar këtë. Por nuk mund t’i kërkoj një lojtar si Messi ta bëjë këtë”.
Përgjigja e Messit
Messi e ka kritikuar Laportën që e ka vënë në dyshim karakterin e tij në vend se të merrte përgjegjësi për largimin e tij, duke këmbëngulur po ashtu se ka bërë gjithçka për të qëndruar në Barcelonë.
“E vërteta është, siç e kam shpjeguar kur jam larguar, unë kam bërë gjithçka që është e mundur për të qëndruar. Kurrë askush në asnjë kohë nuk më ka kërkuar të luaj falas”, tha Messi për Sport.
“Më kërkuan ta zbres pagën për 50 për qind dhe e bëra pa ndonjë telashe. Ishim në pozitë për ta ndihmuar klubin më shumë. Dëshira ime dhe e familjes sime ishte të qëndronim në Barcelonë.”
“Askush nuk më kërkoi të luaj falas por në të njëjtën kohë, duket se fjalët e thëna nga presidenti janë të pavenda. Ato më lënduan mua sepse ai nuk kishte nevojë t’i thoshte ato”, shtoi ai.
34-vjeçari nënshkroi marrëveshje dyvjeçare me PSG-në në gusht, por në ujdi e ka edhe një mundësi për ta vazhduar atë edhe për vit.
Messi nuk ka treguar nëse PSG-ja do të jetë klubi i tij i fundit në karrierë.