Ndryshimet klimatike dhe Covid-19 janë në krye të agjendës së samitit të G20-tës që po mbahet në Itali. Është hera e parë që liderët e 19 vendeve më të industrializuara dhe Bashkimit Europian, takohen ballë për ballë që prej shpërthimit të pandemisë.
Megjithatë, presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin nuk do të jenë në Romë për samitin, duke zgjedhur të marrin pjesë virtualisht. Kryeministri Italian Mario Draghi, mirëpriti liderët botërore në qendrën e konventave Nuvola në kryeqytet. Në fjalimin hapës, ai u shpreh optimist për të ardhmen, dhe tha se multilateralizmi është e vetmja përgjigje e mundshme.
“Pandemia na ndau. Është e qartë se multilateralizmi është përgjigja më e mirë e mundshme ndaj problemeve që ne përballemi sot. Në shumë mënyra është e vetmja përgjigje. Nga pandemia te ndryshimet klimatike, apo taksimi i drejtë, të vepruarit të vetëm nuk është një opsion. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të tejkaluar ndasitë”, u shpreh Draghi.
Ai shtoi se ndryshimi mes niveleve te vaksinimit në vendet me të ardhura të larta dhe të ulëta, ishte moralisht i papranueshëm dhe minon rimëkëmbjen globale. Takimi zhvillohet në prag të samitit të OKB për klimën, COP26, që nis të hënën në Glasgou. Italia shpreson që liderët botërore do të vendosin një afat për eliminimin e emetimeve të gazrave me efekt serë. Grupi i G20-tës është përgjegjës për 80 përqind të emetimeve botërore.
“Në prag të samitit Cop26 në Glasgou, të gjitha rrugët drejt suksesit kalojnë përmes Romës. Por le të jemi të qartë. Ekziston rreziku serioz që samiti i klimës në Glasgou të mos prodhojë rezultate. Disa njoftime të kohëve të fundit për klimën mund të lënë përshtypjen e një tabloje më rozë. Fatkeqësisht, ky është një iluzion”, u shpreh Antonio Guterres, sekretar i Përgjithshëm i OKB.
Sipas një draft-deklarate të parë nga agjencia e lajmeve Reuters, liderët e G20-tës do të zotohen të punojnë për ruajtjen e rritjes së temperaturave në 1.5 gratë, po nuk do të ketë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.