Sylejman Selimi prej tri vitesh është duke pritur rigjykimin për një rast ndaj tij.
Bëhet fjalë për rastin “Drenica 1” ku ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së akuzohet për krime lufte.
Këtë rast Gjykatës Themelore të Mitrovicës ia ktheu për rigjykim Gjykata Supreme në qershor të vitit 2018, raporton RTV Dukagjini.
Supremja ja ka aprovuar mbrojtjes së Selimit kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë që kishte të bënte me përbërjen e trupit gjykues.
Hulumtuesi nga Fondi të Drejtën Humanitare Amer Alija thotë se në atë kohë të gjitha lëndët në Gjykatën e Mitrovicës gjyqtarët ishin ndërkombëtarë.
“Për fat të keq në këtë gjykatë prej tri vitesh nuk është caktuar për gjykim asnjë seancë. Nuk dihet arsyeja e vërtetë pse po ndodh kjo”, tha ai për Rtv Dukagjinin.
Për avokatin Skender Musa vonesa në gjykimin e rasteve të tilla është shkelje e të drejtave të njeriut.
“Rasti duhet të merret nga Mitrovica dhe të kalojë në departamentin kompetent në Prishtinë pasi që Departamenti Special është themelua për të trajtuar rastet më të rënda, qofshin ato korruptive, rastet që lidhen me krimin e organizuar apo krimet e luftës…Është shkelje e të drejtave të njeriut vonesa e tillë ndaj qytetarit të Kosovës”, deklaroi avokati Musa.