Sot në Mbledhjen e 43-të të Qeverisë, me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është votuar Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Si asnjëherë më parë, fal performacës së shkëlqyer ekonomike buxheti i parashikuar për vitin 2022 është më i larti dhe më gjithpërfshirësi ndonjëherë, duke kapur vlerën prej 2,748 milionë euro, apo 8.7% rritje krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.
Të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë prej 2,364 milionë euro, gjë që paraqet rritje prej 15% në krahasim me vitin paraprak.
“Projketbuxheti i vitit 2022 ka për qëllim konsolidimin e ringjalljes ekonomike, sigurimin e qëndrueshmërisë së financave publike, ri-orientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, si dhe përkrahjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Përkitazi me Programin Qeverisës 2021-2024, buxheti i planifikuar për vitin 2022 parasheh investime e ndarje buxhetore në çdo lëmi që prek jetën e qytetarit, e që ndikon në ngritjen e mirëqenies qytetare”, ka njoftuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Sipas ministrisë, në mënyrë më specifike, buxheti i planifikuar për vitin 2022 parasheh investim në arsim e edukim me ndërtimin e 50 çerdheve të reja në tërë vendin, shkollimin falas për të gjithë studentët, si dhe ndarjen e 2 mijë bursave shtesë për studentët më të mirë.
“Më tutje, Buxheti i vitit 2022 synon të ndihmojë edhe ekonominë familjare me ndarjen e 45 milionë euro për të mbeshtetur nënat me Shtesat për Lehona e Shtesat për Fëmijë, ndarjen e 35 milionë eurove më shumë për kategoritë pensionale e sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, dhe shtesat për skemat sociale prej 30% të bëhen të përhershme. Rritja e punësimit është priortit kyç i Qeverisë, andaj 20 milionë euro janë ndarë për skemën e punësimit të garantuar për të rinjte dhe mbështetjen e bizneseve startup. Gjithashtu, mbi 70 milionë euro janë ndarë për bujqësi e 40 milionë euro për mbështetjen e prodhuesve vendor. Në aspekt e shëndetësisë, Buxheti i vitit 2022 parasheh edhe 24 milionë euro buxhet shtesë për sigurimin e barnave esenciale”, njoftoi tutje ministria.
Me këtë buxhet, gjithashtu do të niset ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë, do të fillojë projekti i banimit social e të përballueshëm, policia e zjarrfikësit do të pajisjen me pajisje moderne e të sigurta, do të financohen investimet në ndërmarrje publike, dhe për herë të parë do të këtë mbështetje për Luginën e Preshevës, në shumë prej 2 milionë euro.
Projektligji për vitin 2022 pas votimit në Qeveri, do të procedohet për miratim në Kuvend.