Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka pranuar gjashtë ankesa nga subjektet politike pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet për zgjedhjet e 17 tetorit.
Afati për pranimin e ankesave lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për kryetar komunash ka përfunduar në ora 10:00, ku palët kanë mundur të parashtrojnë ankesë brenda 24 orëve pas publikimit të rezultateve.
Kryesuesi i Sekretariatit në PZAP, Mul Desku, ka deklaruar se deri më tani kanë pranuar pesë apele dhe një ankesë.
“4 apele janë parashtruar kundër rezultatit të zgjedhjeve të kandidateve për kryetar të Komunave të publikuara nga KQZ-ja ndërsa 1 ankesë dhe 1 apel nuk kane te bëjnë me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve për kandidatë për kryetar të Komunave”, ka deklaruar Desku, për FrontOnline.
Desku, ka treguar se kush ka paraqitur apele ndaj rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
“Një apel ka paraqitur Kandidati i PDK-së për Kryetar të Komunës së Shtimes, për shkak të gabimit të regjistrimit të votave në mes të kandidateve për kryetar të Komunës së Shtimes. Një apel ka paraqitur Kandidati i PDK-së për Kryetar të Komunës së Ferizajt, për shkak të mos regjistrimit jo të saktë të votave me kusht dhe me post. Një apel ka paraqitur Kandidati i Nismës për kryetar të Komunës së Podujevës, i cili pretendon se ka dyshime se janë abuzuar votat gati në çdo vendvotim të Komunës se Podujevës dhe e kërkon rinumërim të votave në të gjitha vendvotimet e Komunës se Podujevës. Një apel e ka paraqitur Lista e Pavarur Bekim Jashari kandidat për kryetar të Komunës së Skenderajt, pretendon se ka pasur parregullsi në ditën e zgjedhjeve. Një apel e ka paraqitur Strahinja Spasiç GI Srpska Narodna Sloga, Kandidat për Kryetar në Komunën e Kllokotit. Kërkon që të hetoj rregullsinë e votimit në ditën e zgjedhjeve, abuzimin dhe mashtrimin gjatë votimit, para dhe pas votimit, ushtrimin e presionit ndaj votuesve dhe blerjen e votave. Këto janë pretendimet e ankuesit në ankesë”, ka deklaruar Desku.
“Një ankesë e ka parashtruar LDK kundër LVV, me pretendimet se kandidati i LVV në Prishtinë po bënë fushatë thirrje për ta votuar”, është shprehur ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të enjten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur më 17 tetor.
Në 17 komuna, kandidatët kanë fituar vota të mjaftueshme për të marrë mandatin e kryetarit, kurse në 21 komuna do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve.
Duke u mbështetur në këto rezultate, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë zhvillohet në 21 komuna: Gjakovë, Gllogoc (Drenas), Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor.