Kryeministri shqiptar Edi Rama ka bërë të ditur se më 28 nëntor, Ditën e Pavarësisë, do të hapet kantieri i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.
Projekti i aeroportit të Vlorës është shtyrë disa herë dhe për këtë qeveria ka thënë se ka ndodhur si pasojë e krizave të shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia.
Në Facebook, Rama bëri të ditur edhe se më 29 nëntor hapet qarkullimi në Rrugën e Arbrit. Këtë njoftim, kryeministri e bëri më herët gjatë kësaj të enjteje në Kuvend, duke e marrë këtë projekt si shembull përse, sipas tij, Partneriteti Publik Privat është në të mirë të qytetarëve.
“Nuk kompleksohem fare nga çfarë thoni ju. Por faktet flasin dhe më 29 nëntor hapet rruga e Arbrit që të kalojnë njerëzit, me të vetmin problem që në Qafën e Murrizit, për shkak të përbërjes gjeologjike të tunelit, që ka krijuar vonesa të mirë dokumentuara, gjithë pjesa tjetër është gati. Ja çfarë bën këtu partneriteti publik-privat. Nëse do të bëhej me buxhetin e shtetit, do të nxirrnim një tufë me para, siç keni bërë ju për ne dhe për projektet tuaja pa projekte gjeologjike”, tha Rama./ A2 CNN