Ekipet mobile të vaksinimit kundër COVID-19 po qëndrojnë në shtatë sheshe të qyteteve të Kosovës.
Qytetarët e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Mitrovicës, Ferizajt dhe Gjilanit gjatë ditës së sotme kanë pasur mundësi të vaksinohen në sheshet e qyteteve të tyre, njofton Klankosova.tv.
Ministria e Shëndetësisë për Klankosova.tv. ka bërë të ditur se procesi deri më tani ka ecur mjaftë mirë.
“Tani ekipet mobile do të jenë nëpër shesh e qendra të ndryshme, në komuna të ndryshme, varësisht prej organizimit dhe interesimit. Do të shohim gjatë këtyre dy ditëve cili është interesimi, por për Ministrinë e Shëndetësisë është e rëndsishme që çdo qytetar të vaksinohet”.
“Nuk janë gjithmonë të rëndësishëm vetëm numrat, sa është rëndësia e një procesi që deri tash ka ecur mjaftë mirë dhe qëllimi është që të inkurajohet vazhdimi i vaksinimit”thuhet në përgjigjen e tyre.
Ministria bëri të ditur se vaksinimi me ekipe mobile ka filluar për disa kategori të caktuara.
“Vaksinimi me ekipet mobile ka filluar për kategoritë si pacientët e hemodializës, personat e palëvizshëm, komunitetin rom, ashkali e egjiptian. Kjo është bërë pothuajse që nga fillimi i procesit të vaksinimit të qytetetarëve”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Klankosova.tv.
Përmes këtij procesi të ekipeve mobile është administruar vetëm doza e parë e vaksinës, por MSH-ja tregoi se organizime të ngjashme mund të bëhen edhe për administrimin e dozës së tyre.
“Secili qytetar që e merr dozën e parë, në kartelë i shkruan dita se kur do ta marr dozën e dytë të cilën mund ta marr në komunë e tij kuptohet, në atë komunë ku është vaksinuar, qoftë në qendër të vaksinimit, qoftë në organizime të tjera që bëhen”, thanë nga MSH-ja.
Ndryshe, një formë e tillë e vaksinimit gjashtë ditë më parë u organizua në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.