Ministri gjerman i Ekonomisë nuk pret ndonjë rimëkëmbje të dukshme ekonomike para vitit 2022. Pasojat e pandemisë Corona edhe më tej janë shumë të mëdha.
Sipas ministrit federal të Ekonomisë në detyrë, Peter Altmaier, rritja e numrit të infeksioneve me Corona mund të zbehë edhe rritjen ekonomike – madje edhe pa ndonjë Lockdown të ri. “Ne kemi para nesh një dimër të dytë pandemik”, tha politikani i CDU në Berlin, në prezantimin e parashikimeve vjeshtore për gjendjen ekonomike në vend. Ai mendon se Gjermania nuk do të ketë nevojë për ndonjë Lockdown të ri. Por numri i lartë i infektimeve mund të “ketë efekte negative ekonomike”.
Në prill, qeveria federaleparashikonte një rritje ekonomike prej 3.5 për qind për këtë vit. Por ndërkohë janë ulur pritjet. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) do të rritet vetëm me 2,6 përqind. Ndërsa vitin e ardhshëm parashikohet një rritje prej 4,1 përqind. Në vitin 2023 parashikohet një rritje prej 1.6 përqind.
Në parashikimet e qeverisë federale thuhet “se Gjermania është kthyer në rrugën e rritjes ekonomike pas krizës së Coronas”, tha Altmaier. Por këtë vit, “duke pasur parasysh pengesat aktuale me pajisje dhe çmimet e larta të energjisë në mbarë botën, rritja e pritur nuk do të arrihet,” shtoi ai. Në vitin 2022 ekonomia do të “shënojë një rritje shumë më të vrullshme”.