Ish-kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqyri Haxha, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “lidhja e kontratës së dëmshme”, me të cilën e ngarkon Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në seancën fillestare të mbajtur të martën, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqaj, i akuzuari Haxha nuk e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
“Jam plotësisht i pafajshëm”, deklaroi Haxha.
Në këto rrethana, gjykatësi Sabit Sadikaj e ka udhëzuar mbrojtësin e të akuzuarit, avokatin Ramë Gashi, që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqesë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave që gjenden në të.
Avokati Gashi deklaroi se brenda afatit ligjor do të bëjë paraqitjen e kërkesës së lartpërmendur.
Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Shyqyri akuzohet se ka kryer veprën penale “lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 237, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës, raporton , raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës–Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari-Qeveria e Republikës së Kosovës, ku me 8 mars 2010 PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA-a dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria-aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuara dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të siguroj aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementoj planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike
Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, me 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”,ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së dhe si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe.