Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaRegjisorja Berisha u gjet e vdekur në zyrën e saj, policia jep...

Regjisorja Berisha u gjet e vdekur në zyrën e saj, policia jep detaje

Mesditën e së mërkurës, regjisorja Burbuqe Berisha ka vdekur derisa ishte në vendin e saj të punës, në Ministri të Kulturës.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se Berisha u gjet e vdekur në zyrën e saj, ndërkaq vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar.

Po ashtu, është bërë e ditur se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Prishtinë 27.10.2021-13:20. Viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në zyrën e saj në Ministrinë e Kulturës. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar policia.

Ndryshe varrimi i regjisores Burbuqe Berisha do të bëhet sot në orën 15:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur motra e saj, Trëndelina Berisha, e cila ka dhënë detaje rreth ceremonisë mortore për regjisoren.

“Ju njoftojmë se ceremonia mortore mbahet me datën 28 tetor, duke filluar me mbledhjen komemorative të organizuar nga Kolegji AAB, në teatrin “Faruk Begolli”, me fillim në orën 10:00. Pastaj nga ora 12-14, nën organizimin e MKRS, mbahen homazhe në Teatrin Kombëtar, ndërsa ceremonia e varrimit bëhet në orën 15, në varrezat e qytetit, në Prishtinë. Ditën e premte, me 29 tetor, në orën 11:00, në Teatrin Kombëtar, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, mbahet mbledhja komemorative, për nderimin e jetës dhe veprës së Buqes tonë. Me këtë rast falënderojmë përzemërsisht Kolegjin AAB, MKRS-në dhe gjithë shoqërinë, familjarët dhe dashamirët, që gjatë gjithë kohës ishin dhe vazhdojnë të jenë me ne duke bashkë ndarë dhembjen!”, shkroi ajo.

Ajo ka shkruar fjalë prekëse për të.

“Motra ime, shpirti im i bardhë, ti që ishe motër, nënë e babë për ne, mua, Vjollcën dhe Dardanin. U rritëm me shumë sakrifica, pa prindërit tanë, por gjithmonë qëndruam të lidhur e të bashkuar. Krahu ynë sot u këput, ike papritmas dhe na le në pikëllim të thellë e me zemër të thyer. Nuk ka fjalë që ta përshkruajë dhimbjen që ndiejmë për humbjen tënde. Kontributi yt ishte shumë i madh jo vetëm për familjen por edhe për gjithë vendin tonë! Pusho e qetë shpirti jonë i bardhë!”, ka shkruar Trëndelina.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments