Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, tha se krahasuar me vitin 2020 në vitin 2021 është shënuar rritje prej 45.27 për qind në vlerën e mallrave të importuara në vend.
Sipas Huruglicës kjo është rritja më e madhe e shënuar në 20 vjetët e fundit.
“Në shënimet e Doganës së Kosovës shihet se nëse e krahasojmë periudhën janar – shtator të vitit 2021 me periudhën janar- shtator të vitit 2019 para pandemisë ka një rritje prej 31.9 % në import. Unë them me siguri të plotë se kjo është rritja më e madhe që ka ndodhur në 20 vjet prej se ekzistojnë shënimet, sepse viti i parë i plotë i autoritetit doganor është viti 2000. Nuk ka ndodhur vit në vit me pasë një rritje kaq eksponenciale, domethënë është një rritje jo e zakonshme në çmim, por edhe në sasi rritja është 16.13 % krahasuar me periudhën e njëjtë para dy vitesh.”
“Nëse e krahasojmë me periudhën e para një viti, pra me vitin 2020, vlera e mallrave të importuara ishte edhe më e madhe. Vlera e mallrave të importuara janar-shtator ishte për 45.27% më shumë se janar-shtator të vitit 2020”, tha Huruglica në Rubikon.
Ish-drejtori i Doganës së Kosovës e cilësoi këtë rritje të vlerës së importeve si të frikshme pasi është një indikator i rritjes së madhe të çmimeve.
“Nëse e shohim për nga aspekti i vlerave dhe çmimeve këto për mua janë shifra të frikshme, sepse realisht po tregojnë se jemi duke u përballur me një inflacion jashtëzakonisht të madh të çmimeve. Kosova fatkeqësisht është një vend që prodhon pak dhe shumicën e produkteve që i konsumojmë i importojmë dhe kostoja e transportit, sepse për shkak të mungesës së daljes në det çdo vend i mbyllur paguan kosto shtesë në transport, dhe fuqia e vogël ekonomike e Kosovës nuk është ndonjë faktor që mund të bëjë ndonjë ndryshim substancial në këto lëvizje”.
Huruglica tutje shtoi se ky trend i rritjes do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim.
“Ajo që po e lexoj nga shifrat është se ky trend do të vazhdojë edhe në muajt në vijim dhe ndoshta do të jetë vështirë të stabilizohet edhe viti 2022 dhe fatkeqësisht do të jemi lojtarë të pafuqishëm për të bërë ndonjë ndryshim substancial për ta ndalë apo rregulluar këtë gjendje”.
Duke folur për vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare për mbështetjen e përfituesve të skemave sociale dhe pensionale, Huruglica tha se ky vendim ndikon në rritjen e mëtutjeshme të çmimeve.
“Çfarëdo veprimi që qeveria tenton të marrë unë shoh vështirësi, në rastin konkret ekonomistët e shpjegojnë shumë mirë, ajo prapë e nxitë kërkesën, ajo i rritë çmimet edhe më shumë, sepse mallrat nuk janë produkt vendor edhe këtë përfitim prej 100 eurosh e marrin ekonomitë e vendeve në regjion të cilat eksportojnë më së shumti në Kosovë”.