Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë Kurti për ndarjen e 150 milionë eurove për autostradën që lidh qytetin e Prizrenit me Tetovën.
Mustafa thotë se rrugët që lidhin Prishtinën me qytetet tjera sikur Podujeva, Mitrovica, Gjilani, Peja e Gjakova ende nuk kanë përfunduar.
“Pse duhen ndarë bash sot 150 milionë euro për rrugën për Tetovë, kur veq e kemi autostradën për Shkup, e jo për rrugët për Podujevë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Gjakovë…?!”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe sot Qeveria ka miratuar shqyrtim propozim-vendimin për formimin e Komisionit për vlerësimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë. Ky projekt do të kushtojë mbi 150 milionë euro.
Ministri i Infrastrukturës dhe Planifikimit të Mjedisit Hapësinorë, Liburn Aliu, ka thënë se studimet e para fizibilitetit janë kryer dhe tani do të filloj puna konkrete teknike.
Aliu ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm për shkak se lidh Prizrenin me Tetovën, e po ashtu lidhet me rrugë që çojnë në Shkup, Durrës, Prishtinë e Tiranë.
“Të prezantoj vendimin e sotëm të Qeverisë për krijimin e komisionit për studimin e fizibilitetin për rrugën Tetovë-Prizren. Kjo do të lidhe edhe korridorin për Shqipëri, është një rrugë mjaftë e rëndësishme edhe pse e vështirë. Studimet e fizibilitetit janë arritur nga Maqedonia. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kemi arrit shumë shpejt deri në këtë pikë. Në vitin tjetër do të kemi fillimin e dizajnit”