Administrata Biden ka dërguar në Ballkan një numër të madh diplomatësh me eksperiencë qaka nga njohësit e çështjeve të sigurisë po konsiderohet si shtim i interesimit të SHBA-ve për këtë rajon.
Tani kanë filluar të zbulohen kërkesat e para që përfaqësuesit e Amerikës kanë për udhëheqësit e vendeve të Ballkanit.
Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Ballkanit Perëndimor i duhen liderë politikë që janë të përkushtuar në integrimet evropiane.
“Çelësi për Ballkan Perëndimor më të fuqishëm është ai i cili krijon gjithë përfshirje, integrim, pajtim etnik dhe jo politika nacionaliste”, ka thënë Escobar.
Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi thotë se mesat e Escobar duhet të merren parasysh nga Kosova dhe Serbia.
“Nyja e Ballkanit është çështja Kosovë-Serbi nuk është Bosnja. Bosnja është një dëm kolateral që ka mbetur dhe mund të zgjidhet shumë më lehtë se Kosova. Çështja e Kosovës është shumë më komplekse për shkak të interferimit të palëve të treta. Zgjidhja e konfliktit Kosovë-Serbi e zgjidh gjithë çështjen në Ballkan”, deklaroi për RTV Dukagjinin Dritëro Arifi.
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të takohet në Bruksel me homologun serb gjatë muajit të ardhshëm.
Ndërsa Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se palët duhet të kenë parasysh kërkesat e Escobarit.
“SHBA të ketë pritshmëritë mesatare nga të dyja palët në mënyrë që negociatat të vazhdohen tutje, pasi që siç e dimë me qëndrime maksimaliste dhe nacionalite dialogu është bllokuar në tërësi”, deklaroi Fetahu.