Presidentja Vjosa Osmani, më 14 qershor të këtij viti pati shkarkuar nga detyra e kryetarës së KQZ-së, Valdete Dakën. Arsyetimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës kishte të bënte me zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021, ku sipas saj ajo kishte cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.
“Kryesuesja e KQZ-se me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021. ka cenuar pavaresine dhe imegritetin e KQZ-se. Kryesuesja e KQZ-se, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, kështu duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste. sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa perfaqësuesve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuar në përshkallëzim të situatës përgjatë mbledhjeve të ketij organi”, thuhet ndër tjerash në vendimin e presidentës.
Ky shkarkim pati nxitur shumë reagime nga personalitete te ndryshme të shtetit.
Valdete Daka, nuk e pati pranuar, duke thënë se detyrën e saj e ka kryer sipas Kushtetutës.
Pesë muaj më vonë, Daka gjatë ditës së sotme ( e mërkurë), ka dërguar kërkesën tek Avokati i Popullit që ta shqyrtojë vendimin e presidentës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e saj nga pozita e kryetares së KQZ-së.
Në një prononcim para mediave, Daka ka thënë se i mbetet Avokatit të Popullit ta shqyrtojë kërkesën e saj, shkruan lajmi.net.
“Ashtu siç e kam paralajmëruar mbrëmë, sot e dorëzova kërkesën time tek Avokati i Popullit dhe shpresoj që Avokati i Popullit ta shfrytëzojë pozitën e tij për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin tim. Avokati i Popullit është institucion i pavarur bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe e ka të drejtën që kërkesat t’i shqyrtojë dhe t’i dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Pas publikimit të raporteve evropiane, besoj që edhe Avokati i Popullit do ta shqyrtojë kërkesën time dhe ka arsye të mjaftueshme e bazë ligjore që të njëjtën ta dërgojë në Kushtetuese”, ka thënë Daka.
Ajo ka thënë se ka pritur deri tash që ta dërgojë kërkesën tek Avokati i Popullit pasi që ka qenë fushata zgjedhore dhe deri më tani deputetët nuk e kanë pasur vullnetin ta dërgojnë çështjen e saj në Kushtetuese.
Cilat do të jenë procedurat që do ta përcjellin procesin e ankesës tek Avokati i Popullit dhe çfarë do të ndodhë në rast se vërtetohet që presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën?
Në lidhje me këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar me njohësin e çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftarajn nga IKD.
Sipas Miftarajt, tash i takon Avokatit të Popullit të analizojë kërkesën e Dakës.
“Mbetet tani që Avokati i Popullit me analizu kërkesën e zonjës Daka”, tha për lajmi.net Miftaraj.
Ai gjithashtu sqaroi që pas analizës nga institucioni i Avokatit të Popullit, atij i mbeten dy mundësi: t’i kthejë përgjigje negative Dakës, ose t’ia pranojë asaj kërkesën dhe sipas tij të shfuqizohet vendimi i presidentes me vendim të Kushtetueses.
“Lidhur me procesin për shkarkimin e të njëjtes, Avokati i Popullit ka dy mundësi: në një farë mënyre të kthejë përgjigje negative për zonjën Daka sepse dihet që ka elemente të ndërtuara në kushte ligjore të pakta që çojnë në Gjykatën Kushtetuese, ose nëse Gjykata Kushtetuese pastaj e konsideron ankesën të pranueshme dhe konstaton se ka pasur shkelje kushtetuese krahas përpjekjes për shkarkim, pra konstatohet se pasojat janë në raport me zonjën Daka, dhe do të thotë që vendimi i presidentes shfuqizohet”, ka shtuar ndër të tjera ai.
Nëse vendimi shkon në favor të Dakës, Miftaraj thotë se ajo kthehet në vendin e punës dhe ka të drejtën e plotë të kërkojë kompensim të dëmit financiar për kohën që ajo ishte e shkarkuar.
“Zonja Daka kthehet në vendin e punës, para shkarkimin ajo ka të drejtën e plotë për të kërkuar kompensim të dëmit financiar për kohën që është shkarkuar pa të drejtë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, sipas tij për presidenten Osmani, nuk mund të ketë pasoja, pasi sipas tij Kushtetuesja vendos për dekretin e saj e i cili nuk ka të bëjë me shkelje të rëndë të Kushtetutës.
“Për presidenten Osmani nuk mund të ketë pasoja pasi që Kushtetuesja vendos për dekretin e presidentes që nuk kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të Kushtetutes që mund të ketë pasoja për presidenten”, ka përfunduar Miftaraj.
E njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, për lajmi.net u shpreh se është ende herët të konstatohet se çfarë do të vendoset, por që sipas tij Daka ka shfrytëzuar të drejtën e saj si qdo qytetar apo si përfaqësues profesional të ankohet për atë që ajo konsideron shkelje.
“Po nuk mund ta paragjykojmë se çka del dhe si vendosin, por e para që duhet potencuar është e drejtë elementare e çdo qytetari, në këtë rast edhe përfaqësuesit institucional siç ka qenë edhe zonja Daka në KQZ që të ankohet në insitucionet që ajo konsideron që është shkelje”, ka potencuar ai.
Baraliu nuk pret që do të ketë vendim, por sipas tij nëse ndodhë një gjë e tillë atëherë Baraliu pret që kjo ankesë të hetohet me vëmendje nga insitucionet e tjera gjithashtu edhe nga presidenca.
“Procedurat gjyqësore janë të para në insitucione gjyqësore, administrative dhe gjyqësore, pra ato janë kompetente për ta drejtuar çështjen mirëpo e drejtë e saj është që të ankohet. Në qoftë se Avokati i Populllit jep vendim (por as nuk do të kemi vendim) por në qoftë se Avokati i Popullit konstaton se janë shkelur të drejtat e njeriut është çështje që do të duhej të hetohet me vëmendje nga insitucionet tjera, edhe nga presidenca që në rast hipotetik mos të ndodhin shkarkime të tilla”, u shpreh ai.
Por, Baraliu mendon që vendimi i presidentes është plotësisht i drejtë pasi ajo sipas tij ka marrë vendim në bazë të Kushtetutës, dhe sipas Baraliut ajo ka të drejtën e plotë të shkarkojë anëtarët e KQZ-së ku pjesë e saj është edhe kryesuesja.
“Por unë mendoj që presidentja ka marrë vendim të bazuar në Kushtetutën dhe me ligj të atëhershëm në bazë të dispozitës për Ligjin e Zgjedhjeve të Peërgjithshme dhe të caktojë saktësisht kompetencën pra të drejtën e presidentes që të ngarkojë, emërojë dhe të shkarkojë anëtarët e KQZ-së. Anëtare e KQZ-së është edhe kryesusja dhe është e barabartë dhe është anëtare. Nëse është dispozita në fuqi mendoj që presidentja e ka shfrytëzuar këtë të drejtë të saj dhe ka konsideruar që ka bazë ligjore dhe ka vepruar në atë rast pa dashur të gjykojë a ka bërë mirë apo keq”, ka përfunduar Baraliu.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme presidentja Vjosa Osmani ka thënë se shkarkimi i Valdete Dakës ka qenë në përputhje me ligjin dhe se sipas saj ajo ka pasur anime politike gjatë ushtrimit të funksionit, gjë që bie ndesh sipas presidentes me vet karakterin e KQZ-së.