Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) tashmë ka nisur një hetim të brendshëm në lidhje me rastin e raportuar për parkim të veturës gabimisht nga një zyrtarë i këtij misioni, e pas kësaj kanë marrë edhe veprime tjera.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një përgjigje me shkrim nga ky mision.
“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) tashmë ka nisur një hetim të brendshëm, i cili do të përfundohet me kohë. Misioni po ashtu ka ndërmarrë masa të tjera, përfshirë në lidhje me përdorimin e veturave zyrtare nga zyrtarët e EULEX-it të cilët nuk janë në detyrë apo në thirrje”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, parkimi i veturave në vende jo-adekuate haset shumë shpesh nëpër rrugët e Kosovës, ndërkaq të njëjtën gjë e ka bërë edhe një zyrtar i misionit të Bashkimi Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX.
Sipas pamjeve të publikuara nëpër rrjete sociale, shihet se zyrtari i EULEX-it ka parkuar veturën në një pjesë ku nuk është e dedikuar për parkim.
Në lidhje me raportimin, EULEX në Kosovë ka reaguar pas kritikave të shumta ndaj zyrtarit të tyre, i cili kishte parkuar veturën gabimisht në njërën nga rrugën e Prishtinës.
Pas lajmeve për diskutimin e këtij zyrtari me një qytetar në Kosovë, EULEX është zotuar se do të marrë masa disiplinore.
“Dënojmë me terma të ashpër sjelljen e pjesëtarit të stafit të EULEX-it që është parë duke parkuar gabimisht në Prishtinë. Ne garantojmë se do të marrim masat e duhura disiplinore. Falënderojmë qytetarin e Kosovës që e nxori në dritë këtë rast dhe për sjelljen e përgjegjshme”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it, ndaj komenteve në Twitter.