Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha, të adresojë përgjegjësinë disiplinore lidhur me rastin e dhunimit të 15-vjeçares nga Gjakova, me ç’rast dhunuesi u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim.
Kjo u bë e ditur me anë të një njoftimi të Gjykatës Supreme dërguar mediave.
“Kryetari i Gjykatës Supreme zotohet se çdo rast i dyshimtë, pa përjashtim, nga bartësit e funksioneve gjyqësore, do te trajtohet ne mënyre efikase dhe te drejtë”, vijon ky njoftim.
Gjatë ditës së djeshme, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, që të rishqyrtojë lëndën e prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Prokurorja Lirije Morina u pajtua me dënimin e shqiptuar nga gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Pejës Florije Zatriqi, prej vetëm 8 muaj e 8 ditë ndaj dhunuesit të së miturës, duke mos u ankuar në Gjykatën e Apelit.
Rrethanë lehtësuese për 31-vjeçarin, i cili në vitin 2012 ishte 21-vjeç kur kishte kryer veprën, është marrë edhe shoqërimi i tij me dy të mitur që sipas gjykatës, flasin për ‘pjekurinë e tij psikike’.