Në Parkun e Biznesit në Drenas, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, vizitoi prodhuesit vendorë të produkteve plastike të biodegradueshme.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari biseduan me prodhuesit për kushtet e punës dhe të bërit biznes.
Pagesa shumë e lartë e qerasë dhe pamundësia e përdorimit të investimit si hipotekë për kredi, u theksuan si pengesa nga z. Kujtim Gjevori dhe z. Willem Van den Berghe, pronarë të “Scampa” dhe Powerpack”.
Këta eksportues të thasëve të reciklueshëm të mbeturinave kanë afër 100 punëtorë me pagë mesatare rreth 500 euro, sigurim shëndetësor privat, transport e ushqim të siguruar.
Mes kërkesave të këtyre prodhuesve, u veçuan nevoja për më shumë tokë e hapësirë dhe qera më të lirë.
Kryeministri Kurti dhe Ministrja Hajdari theksuan që ligji i ri për zonat ekonomike do t’iu përgjigjet nevojave të tyre.