Është dënuar më tre muaj burgim, i akuzuari për veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria”, A.B, pasi pranoi se ishte arratisur nga Qendra Korrektuese në Lipjan në tetor të 2017-ës.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit u shpall nga gjykatësi Avdirrahman Gashi, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, pas leximit te aktakuzës nga ana e prokurori Bekim Kodraliu, i pandehurit e pranoi fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Ai tha se në atë kohë ka qenë duke vuajtur dënimin si i mitur në qendrën edukative të tipit të hapur, ndërsa ka shtuar se ka shkuar në shtëpinë e tij dhe aty e ka zënë policia, e më pas është kthyer për ta mbajtur pjesën tjetër të dënimit.
Në fund i akuzuari, kërkoi nga gjykata që t’i shqiptoj një dënim sa më të butë.
Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit u pajtua Prokurori Kodraliu, dhe si i tillë më pas u aprovua edhe nga gjykatësi Avdirrahman Gashi.
I akuzuari po ashtu, u detyrua nga gjykata që të paguaj në emër të paushallit gjyqësor shumen prej 20 euro ndërsa për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 30 euro.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, po e ngarkon të pandehurin A.B, që më 11 tetor 2017, rreth orës 00:00 deri në ora 02:00 pas mesnate, në Qendrën Edukative Korrektuese në Lipjan, i pandehuri së bashku me shokun e dhomës së tij të miturin L.L, përmes dritares së dhomës së tyre kanë dalur jashtë dhe në ato momente kanë kaluar rrethojat duke u arratisur nga institucioni QEK, për në drejtim të panjohur.
Me këtë, ka kryer veprën penale “Arratisje e personit të privuar nga liria” e parashikuar sipas nenit 405 paragrafi 1 të KPRK-së.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë më vendim të formës së prerë.