Së fundmi në Kosovë, janë ngritur çmimet e produkteve të ndryshme ushqimore përfshirë edhe atyre më bazike. E nga sot është ngritur edhe çmimi i bukës nga 40 cent sa ishte në 50 cent.
E përveq bukës janë ngritur edhe çmimet e produkteve të tjera, si ai i mishit, qumështit, djathit, vezëve, vajrave, sheqerit edhe shumë produkte të tjera. Për këtë ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Lajmi.net ka kontaktuar me Selatin Kaqanikun, nga Organizata Konsumatori, rreth rritjeve të këtyre çmimeve, dhe vështirësitë që qytetari i Kosovës do t’i ketë.
Kaqaniku, këtë rritje të çmimeve e sheh si të papranueshme për qytetarin, konsumatorin dhe taksapagusin.
“Mendoj se, do të thotë rritja e çmimeve pa marrë parasysh janë pasojë e një nocioni dhe e përcjellin rritjen e çmimeve të produkteve tjera, mund të jenë edhe stinore, por për qytetarin, konsumatorin dhe taksapagusin janë të papranueshme”, u shpreh ai për lajmi.net.
Sipas tij, bizneset duhet që koston e ngritur të çmimeve t’a përpjestojnë me numrin e produkteve, dhe sipas tij jo një produkt të merr barrën e produkteve të tjera.
“Arsyeshmeria ose paarsyeshmeria mungon me faktin se shumica e këtyre biznesmenëve apo afaristëve, po e ngarkojnë një bukë me koston e gjithë shpenzimeve të tjera të rritura, arsye nëse do të kishin ndaj konsumatorëve të tyre ata do të duhet që në emër të ndershmërisë së tyre që koston e ngritur të çmimeve t’a përpjestojnë me numrin e produkteve e jo që një produkt ta marrë barrën e gjithë shtrenjtimit, domethënë jo vetëm buka, jo vetëm qumështi dhe produktet e qumështit jo vetëm mishi dhe produktet e mishit, dikush mendon se ka rritshmëri të çmimeve, atëhere ngritja e çmimeve duhet të jetë propocionalisht me produktet e tjera”, thuhet në prononcimin e tij.
Lajmi.net, Selatin Kaqnikun nga Organizata Konsumatori e ka pyetur, rreth mundësisë nëse qytetarët do të hasin në vështirësi rreth furnizimit me produktet elementare.
Ai, këtë e sheh si të mundshme, pasi sipas tij Kosova importon mbi 90 për qind rreth nevojave të saj.
“Nëse nisemi nga fakti se Kosova importon mbi 90 për qind të nevojave të saj, atëherë një mundësi e tillë, një probabilitet i tillë është i mundshëm”, u shpreh ai.
Kaqaniku, shpreson që Qeveria t’i dalë ballë këtyre krizave që po do të përballet vendi, por që sipas tij probleme të tilla nuk zgjidhen vetëm, madje ai ka kërkuar nga Qeveria që rreth zgjidhjes duhet të bashkëpunojë me qytetarët konsumatorë, pasi sipas tij ata janë taksapagues dhe kontribues kryesor në buxhetin e shtetit.
“Por as që dua ta mendojë këtë probabilitet por që shpresojmë qeveria më në fund do t’i dalë ballë kësaj krize që i ka marrë trajtën e stampetës, natyrisht se Qeveria apo si Qeveritë e deritanishme nuk mundet ta zgjidhë këtë problem e vetme, Qeveria duhet të bashkëbisedojë, duhet ta pleqnojë këtë punë me qytetarin konsumator i cili është taksapagus i tillë dhe dhënës kryesor i buxhetit të shtetit, pra ne paguajmë për këtë buxhet dhe ne jemi më të thirrurit që ta pleqnojmë këtë punë”, ka përfunduar Kaqaniku.
Ndërkohë, kjo rritje e çmimeve, shihet shumë shqetësuese dhe vështirë e përballueshme për qytetarët, të cilët kanë të ardhura të ulëta.