Para tre muajsh Gazeta Express kishte raportuar për rastin e dhunimit të një 15-vjeçareje në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, dhunuesi i saj me inicialet P.K., u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim nga Gjykata Themelore e Pejës. Në natën kritike, e mitura ishte dhunuar nga 21-vjeçari i dënuar dhe nga dy të mitur. Rasti kishte ndodhur në janar të vitit 2012.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë (tani Gjykata Themelore në Pejë, në qershor të vitit 2012), të cilin e posedon Gazeta Express, i akuzuari P.K., ishte dënuar me burgim prej një viti, gjithashtu edhe dy të miturve i ishte shqiptuar burgim për të mitur në kohëzgjatje prej një viti.
Por, Gjykata e Apelit, në vitin 2014 e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit P.K., dhe të atij F.H., duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe rasti i ishte kthyer gjykatës për rivendosje.
Tre muaj pas këtij raportimi, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila shprehet e shqetësuar me vendimin e gjykatës, të njëjtin e quan absurd e të padrejtë.
Reagimi i saj i plotë:
Sapo përfundova fjalën në konferencën që i dedikohej viktimave të krimit, u njoftova me lajmin që dhunuesi seksual ndaj vajzës 15 vjeçare qenka dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, pa asnjë rrethanë rënduese dhe fatkeqësisht shumë rrethana lehtësuese.
Jam shumë e shqetësuar në raport me këto vendime absurde të padrejta dhe që motivojnë dhunuesit dhe që dhunojnë për së dyti herë viktimat!
Raportimin e Gazetës Express lidhur me këtë rast mund ta lexoni duke klikuar në linkun më poshtë.