Nevoja për ndryshimin e ligjit për shërbimin e jashtëm dhe meritokracia në diplomaci u konsideruan të domosdoshme për Kosovën. Krahas kësaj, në tryezën e diskutimit të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, u tha se duhet të ketë edhe vullnet politik për reformën në shërbimin e jashtëm.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh, kryetar i komisionit parlamentar për punë të jashtme, Haki Abazi, tha se fillimisht është e nevojshme të ndërrohet mendësia e trajtimit të shërbimit të jashtëm dhe pastaj të fillohet reformimi i tij.
Ai tha se përmes ndryshimeve ligjore do të tentojnë të ulin kuotën e ambasadorëve politik, pasi qëllimi, sipas tij, është mos të ketë hapësirë të ndikimeve politike.
“Qëllimi ynë është që mos të ketë hapësirë të ndikimeve politike të qeverive, kur ato ndërrohet dhe ky numër të zvogëlohen në 30 përqind. Është i domosdoshëm të kemi njerëz që janë të lidhur drejtpërdrejtë me qeverinë që vjen pushtet, por jo gjithsesi të jetë 50-50, pasi atë formë ngushtohet hapësira për diplomatët e karrierës”, tha ai.
Para një reforme në shërbimin e jashtëm, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tha se duhet të ketë një reformë të brendshme në MPJD. Ajo kritikoi edhe ministren Gërvalla për mos transparencë, derisa tha se Kosova është në pauzë sa i përket politikës së jashtme.
“Reformimi i jashtëm duhet të ndodh me reformim të brendshëm. S’ka mundësi të ndodhë reformimi i jashtëm, kur t’i ke zyrtarë që janë kthyer. Mirë shumë që janë ardh, mirë shumë që është bërë rotacioni, pasi ka qenë edhe vendim që e ka marrë ish kryeministri Haradinaj, nuk është vendim i kësaj qeverie, por paraprake. Këta zyrtarë që kanë ardhur bredhin në zyre, nuk kanë përshkrim të punës, i ke drejtorët që janë ushtrues detyre, nuk janë drejtor të plotë”, shtoi deputetja opozitare.
Ndërsa, ish ambasadori dhe drejtori i KIPRED, Lulzim Peci tha se planifikimi i duhur është primar për funksionim të mirëfilltë të shërbimit të jashtëm, pasi pavarësisht ndryshimeve ligjore nëse nuk ka planifikim i njëjti do të dështojë.
“Ne mund ta bëjmë ligjin më të mirë, por nëse nuk kemi planifikim të mirëfilltë brenda punës së MPJD-së nuk do të funksionojë. Planifikimi është abc-ja të jeni të bindur. Çka nënkuptoj unë me planifikim, pikë së pari ristrukturimin e ministrisë përbrenda, drejtorati politik, të fillojë prej aty, pasi ambasadat janë satelitët e drejtorit”, tha Peci.
Derisa, Naser Shamolli nga GLPS tha se primare për shërbimin e jashtëm është meritokracia.
“Shërbimi i jashtëm të evidentohet më shumë nga meritokracia, kuota prej 50 përqind e të emëruarve që aktualisht është, të zvogëlohet në 30 përqind. Të përcaktohet procedura dhe afatet të ambasadorëve dhe shefave të misioneve. Të përvetësohen mekanizmat të pranimit në shërbimin e jashtëm duke zbatuar rregullat dhe kusht shtesë të jetë ligji i veçantë. Sistemi i gradimit të vendoset sipas gradës personale, por duke garantuar një procedurë konkurruese dhe transparente”, tha ai.
Plotësim-ndryshimi i ligjit për shërbimin e jashtëm është në agjendën legjislative të Qeverisë së Kosovës, mirëpo ende nuk është votuar në Qeveri, rrjedhimisht edhe në Kuvend.