Të shtunën u ekzekutua 57-vjeçari Demir (Dem) Backa pranë një qendre tregtare në Fier. Backa ishte biznesmen, pronar i bar-restorantit “Piazza” në Fier.
Ndërsa hetimet për vrasjen e tij po vazhdojnë, mediat në Shqipëri kanë dhënë detaje mbi të dyshuarit. Thuhet se dorasit kanë përdorur një makinë me targa të vjedhura kosovare.
Siç shkruan TopChannel, makina u gjet e djegur në zonën pranë spitalit të ri në Fier dhe sipas policisë automjeti përdorte targa të vjedhura të Kosovës. Në makinë janë gjetur edhe armët e përdoruara në krim. Prej tyre janë lëshuar breshëri plumbash, tre nga të cilët e kanë goditur viktimën në qafë dhe kokë dhe 15 në kraharor.
“BalkanWeb”, duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, raporton se policia shqiptare po bashkëpunon me policinë e Kosovës për identifikimin e mjetit të autorëve, i cili u dogj pak kilometra nga qyteti i Fierit, teksa rezultoi me targa të Kosovës.
Ai që e ka qëlluar duket se është afruar duke i dalë përballë për t’i dhënë një mesazh. Ky është dyshimi i policisë. E më pas ka zbrazur karikatorin e kallashnikovit në gjoksin dhe kokën e viktimës.
Policia deri më tani ka shoqëruar 15 persona për t’i pyetur për ngjarjen, por asnjë nuk është arrestuar. Policia është duke verifikuar disa pista të mundshme për arsyet e kësaj vrasjeje.
Më e vjetra është ajo e vitit 1998 për konfliktin për një tokë në bregdetin e Darzëzes dhe më e reja, ajo e hakmarrjes. Viktima së bashku me të afërmit e tij e kanë dhunuar fizikisht, duke e lënë në gjendje të rëndë një personazh të njohur në Fier. Kjo është një pistë e policisë së shtetit që po shqyrtohet për të mbërritur tek e vërteta. Për këtë arsye janë marrë në pyetje edhe të afërm të viktimës për të mësuar se çfarë konfliktesh të mundshme mund të kenë çuar në këtë vrasje të mirëpërgatitur, shkruan “Shqiptarja”.
Backa ishte vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit, i cili është vrarë në 1997-ën, Medi Backa, i njohur si Buc Backa.
Buc Backa u vra në masakrën e Levanit, së bashku me 23 persona të tjerë. Janë bërë më shumë se 20 vjet nga ngjarjet e tmerrshme të vitit 1997, ndërsa nuk dihet nëse vrasja e Demir Backës ka lidhje me këtë masakër.
Masakra e Levanit konsiderohet si më e madhja që ndodhi gjatë trazirave të vitit 1997, ku në rrethana ende të paqarta u vranë 24 persona gjatë një përplasjeje me armë, që zgjati dy orë.
14 prej tyre ishin anëtarë të një prej bandave më të rrezikshme të jugut, të cilët ishin nisur për të zhdukur bandën e Zani Çaushit dhe Komitetet e Shpëtimit, që atë natë kishin vendosur të mblidheshin në Vlorë.