Në përballje me virusin COVID-19, shumë ndryshime pati në rrjedhën e jetës së qytetarëve anembanë botës, përfshirë këtu edhe Kosovën. Qytetarët përpos që u përballen me koronavirusin sa i përket gjendjes shëndetësore, si pasojë e virusit shumë prej qytetarëve mbetën pa punë e shumë të tjerë mbetën pa përfunduar disa prej obligimeve të cilat kishin nisur.
Pandemia ngjashëm ndikoi edhe në çështjen e pajisjes me patent-shoferë. Numri i atyre që u pajisën me patent-shoferë ishte shumë herë më i ulët gjatë vitit të kaluar, sesa brenda 9 muajve të këtij viti.
Të kontaktuar nga lajmi.net Ministria e Infrastrukturës respektivisht departamenti për Patent-Shoferë kanë deklaruar se në numri i kandidatëve që kanë kaluar provimet vitin e kaluar ishte 7 mijë e 981, kurse në periudhën janar-shtator të këtij viti provimin në tërësi e kanë kaluar 31 mijë e 511 persona.
“Numri i kandidatëve që kanë kaluar vitin e kaluar ka qenë 7981 si dhe për këtë vit ( janar – shtator 2021 ) kanë kaluar provimin në tërësi 31511 kandidatë”, thuhet në përgjigjen e MI-së.
Njëashtu është theksuar se në periudhën kohore sipas vendimeve për masat antiCOVID, ka patur edhe ndërprerje të provimeve apo zvogëlim të kapaciteteve për testimin e kandidatëve.
E sipas ministrisë përkatëse kjo gjë ka ndikuar edhe në pritjen ose radhën e kandidatëve për t’u testuar në mënyrë të arritjes për pajisje me patentë-shofer.
“Kjo natyrisht se ka ndikuar edhe në pritjen ose radhën e kandidatëve për tu testuar për marrjen e patent shoferit”, thuhet tutje në përgjigje.
Në kohën kur gjendja ishte edhe më kritike sa i përket përballjes me virusin COVID-19, departamenti për patent-shofer kishin marrë masa për riorganizimin e punës, duke zvogëluar numrin e kandidatëve në salla si dhe duke shtuar numrin e orareve me qëllim të zvogëlimit të radhës në pritje.
Por tashmë sipas këtij departamenti janë shtuar kapacitetet, duke ndikuar kështu pozitivisht në punën e njësive përkatëse.
“Si Departament sipas masave anti covid-19 kemi bërë edhe riorganizimin e punës duke zvogëluar numrin e kandidatëve në salla, dhe duke shtuar numrin e orareve me qëllim të zvogëlimit të radhës së pritjes. Me licencimin edhe të një numri të pyetësve praktik janë shtuar kapacitetet në të gjitha njësit regjionale duke ndikuar pozitivisht në punën e njësive”, u tha nga zyra për informim e Ministrisë së Infrastrukturës.
Duhet përkujtuar që përballja me virusin COVID-19 ndikoi edhe në ndërprerjen e punës së shumë institucioneve shtetërore, në mesin e tyre edhe të shkollave për një periudhë të gjatë.
Tashmë që numri i të infektuarve si dhe viktimave si pasojë e koronavirusit pati ulje, ka filluar edhe lirimi i masave si dhe funksionimi më i rregullt i këtyre institucioneve