Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka përshkruar si të papritur dhe të çmendur triumfin 5:0 të skuadrës së tij kundër Manchester Unitedit të dielën në Old Trafford.
Mohamed Salah shkëlqeu duke shënuar het-trik, ndërsa Naby Keita dhe Diogo Jota shënuan nga një herë tjetër në fitoren më bindëse të skuadrës së Kloppit ndaj Unitedit.
Kjo ishte fitorja më e madhe e Liverpoolit në Old Trafford.
Klopp e përshkroi si ditë të madhe të dielën dhe si një kapitull të ri në historinë e klubit.
“Është vërtet një ditë e mirë, një ditë e madhe. Ky është një kapitull i ri në historinë e këtij klubi”, tha Klopp pas ndeshjes.
Ai shtoi: “Njerëzit do të flasin për këtë në të ardhmen, sepse kjo nuk do të ndodhë përsëri për një kohë shumë të gjatë, ndoshta kurrë”.
“Rezultati është i çmendur. Fitore e veçantë po ne nuk festojmë si të çmendur, sepse ne e nderojmë kundërshtarin tonë”, nënvizoi ai.
Liverpooli mbetet ekipi i vetëm i pamposhtur këtë sezon në Premierligë dhe tani mbledh 21 pikë në vendin e dytë, vetëm një më pak se lideri Chelsea.