Në takimin e zhvilluar në qytetin e Shkodrës me rastin e 10 vjetorit të gazetës “Alpet”, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe intelektualëve nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Lugina e Preshevës, u theksua nevoja e një bashkëpunimi më të gjërë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve që jetojnë në rajonin e Ballkanit.
Ish ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj tha se bashkëpunimi i deritanishëm mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës është i pamjaftueshëm.
“Mendoj se fjala më e butë, që i shkon në këtë rast, është një bashkëpunim i pamjaftueshëm. Sepse nuk është problemi për një bashkëpunim mes individëve apo edhe strukturash joqeveritare, siç është gazeta “Alpet” apo disa shoqata. Problemi është që ky bashkëpunim duhet të marrë formë institucionale, sepse të gjitha projektet e zhvillimit kalojnë përmes institucioneve. Ndaj, në këtë kuptim, është i pamjaftueshëm”, tha ai.
Për kryetarin e Bashkimit Demokratik të shqiptarëve në Mal të Zi, Nikoll Camaj, kufiri i sotëm shtetëror mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi kufizohet nga shqiptarët dhe se Alpet janë një territor që i bashkon ata. Megjithatë, shtoi ai, shqiptarët në Mal të Zi nuk i administrojnë vetë pasuritë, ku ata jetojnë.
“Ne kemi ato pasuri, që janë të përbashkëta, sikurse janë Alpet shqiptare apo sikurse është Liqeni i Shkodrës. Në vend që të realizojmë idenë e Parkut të Paqes, që lindi mu nga shqiptarët, ata realizojnë idenë e parqeve nacionale edhe të Liqenit të Shkodrës, edhe të Bjeshkëve të Nemuna, në fakt Alpeve shqiptare, në mënyrë që ata t’i kontrollojnë. Dhe sot, përposë që kemi ushtarët dhe policët serbë, malazezë, apo maqedonë, në kufi me shqiptarët, kemi edhe rengjerat malazezë, të cilët i kontrollojnë ato pasuri. Dhe kështu na vështirësohet që t’i shfrytëzojmë, qoftë edhe për arsye të turizmit e jo më tepër pasuritë tona”, tha zoti Nikoll Camaj.
Përqendrimi i shoqërisë civile, u shpreh zoti Mustafaj, duhet të jetë jo vetëm në drejtim të rritjes së shkëmbimeve kulturore në këtë rajon, por edhe si presion ndaj institucioneve shtetërore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës për të siguruar një bashkëpunim ekonomik dhe projekte të përbashkëta zhvillimi, një pjesë e të cilave financohen nga Bashkimi Europian.
“Krahasuar edhe përbrenda Shqipërisë, veriu është shumë më i mbrapambetur, më i pazhvilluar, më i lënë pas dore nga politika dhe institucionet. Po ashtu, edhe pjesët kufitare me Shqipërinë, pjesët e Malit të Zi që banohen në një masë shumë të madhe nga shqiptarët, po edhe deri në Sanxhak, edhe në Kosëve, ka mundësira të pafund zhvillimi, projektesh. Nevojat janë edhe më të mëdha se këto mundësi”, tha zoti Mustafaj.
Ndërsa Nikollë Camaj theksoi se ka mjaft çështje të pazgjidhura përsa i përket pasurive të shqiptarëve, të cilat duhet të jenë çështje për trajtim në tryezat ndërqeveritare.
“Pres që në tryezat e përbashkëta të bizedimeve në mes të Podgoricës zyrtare dhe Prishtinës dhe Tiranës zyrtare këto çështje të diskutohen, sepse pa ekonomi të fuqishme, pa mundësi që ne t’i kontrollojmë resusset tona, zor se mund të bëhemi faktor politik. Dhe dihet, nëse duam të ekzistojmë këtu, duhet të jemi ata ç’ka jemi edhe si fuqi në numër, të jemi faktor politik”, tha ai.
Vitet e fundit qeveritë e të tri vendeve fqinje, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, kanë zhvilluar takime dypalëshe, ku kanë nënshkruar një numër marrëveshjesh, por shumica prej tyre nuk kanë arritur të zbatohen.