Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaKurti i dërgon letër urimi homologut norvegjez

Kurti i dërgon letër urimi homologut norvegjez

Kryeministri Albin Kurti i ka dërguar letër urimi Jonas Gahr Støre me rastin e zgjedhjes kryeministër i Norvegjisë.

Kurti e ka uruar për marrjen e detyrës dhe formimin e qeverisë nën udhëheqjen e kryeministrit Støre, me fokus në politikat sociale dhe solidaritetin social.

Ai ka shprehur mirënjohjen e Kosovës ndaj shtetit norvegjez për mbështetjen e madhe gjatë dy dekadave të fundit.

“Kosova e konsideron Norvegjinë mik tonin të vjetër, që ka qenë pranë nesh dhe na ka ndihmuar në momente të vështira. Ndihma norvegjeze ka qenë ndër të tjera humanitare, diplomatike dhe ekonomike – vendi ynë do të jetë përgjithmonë mirënjohës. Norvegjia përmes ambasadës së saj në Kosovë promovon zhvillimin e stabilitetit dhe demokracisë duke mbështetur bashkëpunimin rajonal dhe lokal, zhvillimin social-ekonomik, transparencën dhe drejtësinë”, thuhet në letrën e Kurtit.

Shefi i qeverisë kosovare ka shprehur gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin dhe për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe.

Në përmbyllje të letër urimit, Kurti i uroi homologut të tij norvegjez suksese gjatë mandatit qeverisës, duke shpresuar që delegacioni norvegjez dhe ai i Kosovës do të kenë mundësi të takohen personalisht në Prishtinë ose në Oslo.

Letra e plotë e kryeministrit Albin Kurti:

I nderuar Kryeministër Store,

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj të ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si Kryeministër i Norvegjisë.

Qeveria jonë ka pritur me padurim fitoren e socialdemokratëve në Norvegji. Ne ju përgëzojmë për formimin e qeverisë nën udhëheqjen tuaj me fokus në politikat sociale dhe solidaritetin social, si dhe për të bërë më shumë me punë – për t’i integruar ata dhe për t’i përfshirë, në mënyrë që të reduktohet pabarazia. Sistemi skandinav i mirëqenies është një model që qeveria ime dëshiron të ndjekë, edhe pse vendi ynë është ende i ri dhe ka vuajtur nga lufta e fundit dhe goditjet destabilizuese.

Republika e Kosovës i është mirënjohëse shtetit norvegjez për mbështetjen tuaj të madhe gjatë dy dekadave të fundit. Kosova e konsideron Norvegjinë mik tonin të vjetër, që ka qenë pranë nesh dhe na ka ndihmuar në momente të vështira. Ndihma norvegjeze ka qenë ndër të tjera humanitare, diplomatike dhe ekonomike – vendi ynë do të jetë përgjithmonë mirënjohës.

Norvegjia përmes Ambasadës së saj në Kosovë promovon zhvillimin e stabilitetit dhe demokracisë duke mbështetur bashkëpunimin rajonal dhe lokal, zhvillimin social-ekonomik, transparencën dhe drejtësinë. Kosova mund të mësojë shumë nga vendi juaj në drejtim të krijimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik duke respektuar standardet e larta të mbrojtjes së klimës dhe mjedisit. Prandaj dëshirojmë të forcojmë bashkëpunimin tonë në të gjitha këto fusha dhe të thellojmë marrëdhëniet tona dypalëshe.

Me Norvegjinë si anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 2021-2022, ne e dimë se ju mund të kontribuoni shumë për paqen dhe sigurinë. I urojmë vendit tuaj suksese në zotimin e shtetit tuaj për të siguruar paqe, pajtim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut në konfliktet aktuale në botë. Republika e Kosovës është gjithashtu kontribuese për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe pret të jetë një partner i besueshëm për angazhimet tona të përbashkëta ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë në rajon, Evropë dhe botë.

Shpresoj se do të ketë mundësi që delegacionet norvegjeze dhe të Kosovës të takohen personalisht në Prishtinë ose në Oslo.

Ju uroj suksese në pozitën tuaj të re.

I juaji sinqerisht,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments