Përfundimin e mandatit të misionit të UNMIK-ut- ekspertë po e shohin si të pamundur edhe dy dekada pas luftës. Ehat Miftaraj drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi në një intervistë për EO, mandatin e UNMIK-ut e sheh si proces kompleks.
Madje sipas tij, që ky mision të largohet nga Kosova të miratohet një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit.
“Përfundimi i Mandatit të UNMIK-ut është jashtëzakonisht kompleks me vet faktin që ai ushtron funksionin në bazë të asaj që ka ardhur në qershor të vitit 1999-të “në bazë të Rezolutës 1244, kështu që në mënyrë që UNMIK-u të përfundoj mandatin e tij, duhet ose të kemi një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit që e shfuqizon rezolutën 1244 ku përfshihet edhe vota e Rusisë dhe Kinës ose nëse do ta kemi një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë e cila do të kapitulloj ose kurorëzohet me ulëse në OKB, dhe automatikisht do ta shfuqizonte këtë mision”, tha Miftaraj.
Miftaraj tha se UNMIK-u e ka pasur barrën kryesore në vitet e para të 1999 kur edhe ka administruar Kosovën në të gjitha fushat, ndërsa që nga 2008-ta ka rol inekzistent.
“Mund të themi se UNMIK-u ndoshta në vitet e para ka pasur barrën kryesore po flas në qershor 1999 deri në vitet e para kur është dashur ta udhëheq administrimin e Kosovës në të gjitha fushat. Kurse nga viti 2008 e këndej ka rol ineksiztent në Kosovë dhe nuk ka më asnjë pushtet ekzekutiv. Mund të themi që më shumë ka pasur rol mbështetës dhe ne e shohim që është i gjallë kur bën vetëm raportime në Këshillin e Sigurimit”, shtoi ai.
Tutje ai tha se UNMIK-u është krijesë e Këshillit të Kombeve të Bashkuara, dhe mandati i tij mund të përmbyllet vetëm nëse ekziston vullneti i pesë shteteve të Këshillit të Sigurimit.
“UNMIK-u është krijesë e Këshillit të Kombeve të Bashkuara dhe një mision si ky i cili është ardhur në Kosovë në vitin 1999 mbetet në vullnetin e pesë shteteve kryesore që janë në Këshillin e Sigurimit, dhe nëse njëra nga këto ka veto sigurisht që kjo nuk mund të ndodh pavarësisht që politika në Kosovë ka kërkesa që mund të mbyllet ky mandat”, përfundoi Miftaraj.
Avokati Tomë Gashi theksoi faktin se UNMIK-u ka kryer misionin e vet qysh në momentin kur Kosova është bërë shtet dhe se tashmë pozicioni i tij është vetëm figurativ dhe asgjë më shumë.
“UNMIK-u faktikisht e ka kryer misionin e vet në momentin kur Kosova është bërë shtet dhe kur është shpallur pavarësia e Kosovës, mirëpo duke pasur parasysh që situata politike në të cilat ne kalojmë thuajse është e pamundur që UNMIK-u së paku mos të jetë pjesë figurative në vend, duke pasur parasysh prezencën e KFOR-it. Në bazë të rezolutës 1244, duhet të dimë që misioni i saj është shumë i limituar dhe pak ka kompetenca. Ata i përcjellin ngjarjet por nuk janë akterë politik sepse nuk kanë ndonjë rol primar”.
Ai tha se misioni i UNMIK nuk paraqet ndonjë peshë të madhe dhe që prezenca e tij nuk është as e dobishme por as e dëmshme pasi që koncentrimi i tyre më shumë është nga pjesa veriore.
“Tani Kosovën e udhëheqin politikanë dhe ata që janë faktikisht në krye të shtetit dhe jo që ka ndonjë peshë të madhe misioni i UNMIK-ut në Kosovë, dhe sido që të jetë prezenca e saj nuk është as e dobishme dhe as e dëmshme, është një numër rreth 50 zyrtarëve për aq sa unë e di, dhe janë çështje për të cilën këta më tepër janë të koncentruar në pjesën veriore të Kosovës. Tani më faktikisht nuk janë më imponues të paqes por ruajtës të paqes”.
Ditë më parë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të përfundoj një mandat i tillë, pasi sipas tij, ndërprerja e misionit të UNMIK-ut është e nevojshme dhe krijon qartësi institucionale./