Saturday, November 23, 2024
HomeEkonomiNë ditën ndërkombëtare të energjisë: Kosova me termocentrale të stërvjetëruara dhe me...

Në ditën ndërkombëtare të energjisë: Kosova me termocentrale të stërvjetëruara dhe me pak energji të ripërtëritshme

Kosovën, Dita ndërkombëtare e energjisë e gjenë me kapacitete të stërvjetëruara elektroenergjetike, me termocentralet Kosova A të ndërtuara që nga 1962-ta dhe me ato Kosova B të ngritura më 1979, dhe me fare pak kapacitete të energjisë së rinovueshme.

 

Dita ndërkombëtare e energjisë, 22 tetor, për çdo vit, pra edhe sivjet, shpërfaqë thuaja pamjen konstante të kapaciteteteve prodhuese të energjisë elektrike-termocentraleve, ka vite të stërvjetëruara Kosova A dhe termocentraleve Kosova B tashmë të vjetruara në përmasa që kërkojnë urgjentisht dorën e rinovimit, veçmas në stabilimentet për ruajtjen e ambientit nga djegja e qymyrit.

Kosova A, blloku i parë i tyre, siç dihet, ka nisur punën që në vitin 1962, vit aq i largët sa tashmë breza të tërë kosovarësh, as që e mbajnë mend, as që e kanë parasysh dhe as që e paramendojnë këtë moshë të stërvjetër të këtyre termocentraleve. Pas këtij viti të largët, pastaj suksesivisht janë ndërtuar blloqet e tjera, A2, A3, A4 dhe A5. Dhe, sot e kësaj dite, akoma, pjesa dërmuese e kapaciteteve të Kosovës A, prodhojnë, madje, sasi jo të vogël të rrymës që është shumë domethënëse për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe për furnizimin e konsumit kosovar. Ende prodhojnë rrymë tre blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5 (që nga pas lufta ky TC ka operuar me këto tre blloqe), të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh.

Kapaciteti i A1 është 200 megavatorë në gjenerator, ndërsa në rrjet 180. Kapaciteti i A4 është krejt identik me A3. Ndërsa, A5 ka kapacitet në gjenerator 210 megavat, ndërsa në rrjet 190. Por, këto blloqe rëndom prodhojnë më pak energji.

Kapaciteti i prodhimit këtyre ditëve, i blloqeve të Kosovës A është: A3 dhe A4 në gjenerator 150 megavat-orë, ndërsa në rrjet 110, ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë. Më saktësisht edhe pse të stërvjetruara, këto kapacitete prodhojnë diku rreth 35 për qind të energjisë elektrike të vendit. Dhe, kjo është sasi enorme, shumë e madhe, kur të kihet parasysh mosha e tyre. Ky termocentral i plakur dhe i lodhur në përmasa paksa të frikëshme prodhon këtë sasi të rrymës, edhe pse, sipas ekspertëve të KEK-ut, nuk e plotëson asnjë normë apo standard sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e rrymës nga termocentralet. Ka teknologji të stërvjetëruar dhe të amortizuar. Përbën rrezik real për punonjësit dhe komunitetin përreth, vazhdimi i mëtejshëm i operimit me këtë gjendje aktuale, kur siguria dhe disponueshmëria është në nivelin më të ulët të mundshëm.

Kosova A-tre blloqet (A3, A4 dhe A5), edhe kështu si janë, në një gjendje të mjerueshme nga vjetërsia e tyre dhe larg çdo standardi sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e energjisë nga termocentralet, janë ende më se të nevojshme për KEK-un dhe mbarë Kosovën për të kompenzuar mungesat e rrymës në prag të krizës së pritshme energjetike që po troket në dyert e vendit. Prandaj, sot në KEK, edhe pse janë të vetëdijshëm për refuzimin e qymyrit në mbarë botën si burim i energjisë, janë thuaja unanimisht që t’u zgjatet jeta edhe më shumë këtyre termocentraleve. Por, rindërtimi i tyre duhet të bëhet urgjentisht, ose të mbyllen fare, edhe me rrezikun real të mbetjes së konsumit të vendit minus 35 për qind të energjisë elektrike që vie ende nga A-ja e stërlodhur dhe e rrezikshme për jetën e 700 punëtorëve dhe banorëve të fshatrave përreth.

Tashmë është e vjetëruar edhe Kosova B e ndërtuar në vitin 1979. Por B-ja me goxha investime, sidomos në ndërrimin e elektrofiltrave, deri tash asnjëherë të ndërruar dhe me modernizimin e sistemit të djegies do të kishte mundësi, siç janë të bindur në KEK, të prodhojë lehtësisht edhe 20-25 vjet, përkatëisht këtij kapaciteti me këto ndërhyrje rinovuese do t’i zgjatej jeta deri më 2045 – 2050, kur më nuk do të jetë e lejueshme fare të prodhohet energjia nga qymyri.

Për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit në këtë kapacitet elektroenergjetik duhet të ndërrohen filtrat, të cilët, siç u tha më lartë, që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë. Me ndërrimin e filtrave të B-ja, përkatësisht instalimin e filtrave të rinj, teknologji më moderne, dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i pluhurit në minimum. Dhe nëpërmjet ndërhyrjes – riparimit të procesit të djegjes reduktohen maksimalisht NOX.

Ndërsa nëpërmjet të ndërrimit të një impianti që planifikohet me projekt tjetër nga ai i ndërrimit të filtrave reduktohet SOK. Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e NOX është tashmë i rumbullaksuar edhe financiarisht. Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtyre dy projekteve rivitalizuese në Kosovën B është i siguruar tërësisht nga BE-ja. Por nisja e punëve për realizimin e këtyre projekteve është shtyrë për shkak të pandemisë. Ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020 dhe është shtyrë për 2021 për shkak të COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022.

Parashihet që këto projekte, ndërrimi i elektrofiltrave dhe ndërhyrja në procesin e djegies për ta reduktuar NOX në Kosovën B të përfundojnë më 15 tetor 2023. Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve do t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues.

Projekti tjetër, i ashtuquajturi FDG (SOX)-ndërrimi i impiantit të nevojshëm për reduktimin e SOX parashihet të kushtojë rreth 100 milionë euro dhe të vihet në funksion, pra të kryhet si projekt më 1 janar 2028.

Tash për tash është në proces të përgatitjes dhe është futur në procedurat shqyrtuese të BE-së. Këto janë planifikimet që duhet bërë domosdo për t’i pasur rreth 600 megavatorë energji elektrike nga Kosova B, me të cilën KEK-u nuk ka probleme edhe tani, por ato do të eliminoheshin në tërësi deri në vitin 2045.

Ndërkohë, ka vite e vite që njerëz kompetentë dhe shumë sish edhe fare jokompetentë flasin zhurmshëm për urgjencën për të zëvendësuar kapacitetet tona të bazuara eksluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme. Ky zhurmim jo rrallë vie nga njerëzit që nuk e kanë idenë për mundësitë reale të Kosovës për të pasur energji të rinovueshme. Dhe duhet thënë troç dhe konkretisht që Kosova nuk ka shumë potenciale për energji të ripërtëritshme. Kemi fare pak ujë dhe pak lumenj. Pra ka fare pak mundësi për ndonjë hidrocentral që mund ta përmendësh fuqinë e tij prodhuese dhe domethënien e tij për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe të konsumit tonë në rritje.

Kosova e vogël si territor ka fare pak tokë për të ofruar për ndonjë kapacitet solar të madh dhe të efektshëm për nga sasia, për të kontribuar në përmbushjen e nevojave të konsumit dhe tregut tonë energjetik.

Pak më shumë mundësi për energji të rinovueshme kemi te ndërtimi i turbinave me erë. Tashmë janë ndërtuar dy kapacitete që ia vlen të përmenden, ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 MW.

Pas analizave dhe matjeve të shumta vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës. Vlerësohet se deri tash në të gjitha këto vende të identifikuara për mundësi ndërtimi të turbinave me erë mund të arrihen diku rreth 600 megavatë energji elektrike nga era. Por, në rrjet duhet të llogaritet gjysma e më pak e këtyre megavatëve, pasi që te ne këto kapacitete për shkak të mungesës së erërave dhe të natyrës së fryrjes së erës, nuk mund të prodhojnë me fuqinë e instaluar.

Kjo është gjendja aktuale sa I përket kapaciteteve prodhuese dhe potenciale për të prodhuar më shumë energji nga qymyri dhe energji të rinovueshme edhe në ditën ndërkombëtare të sivjetshme të energjisë. Duket kjo gjendje goxha e zymtë, e vështirë dhe e tendosur. Por, gjithsesi, nuk është e patejkalueshme.

Nuk duhet pritur pafundësisht për të vendosur për rindërtimin e kapaciteteve ekzistuese në bazë të qymyrit dhe për ndërtimin e shterrimin e të gjitha mundësive për të shtuar kapacitete për energji të rinovueshme. Deri tash është pritur tepër shumë, është dëgjuar më shumë nga jokompetentët dhe profesionistë të paditur për të ngritur kapacitete të reja energjetike, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë të energjisë së ripërtëëritshme. Tani, nuk ka më kohë për pritje dhe kalkulime. Shpejt Kosova mund të mbetet pa energji elektrike, nëse nuk ndërmerret hapi i nevojshëm, i mençur dhe i analizuar detajisht edhe për ruajtjen e ambientit, edhe për koston financiare, edhe për plotësimin e nevojave të konsumit kosovar me energji elektrike./Buletini Ekonomik

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments